Fri, Oct 31, 2025

Ndahet nga jeta Fatos Nano, kryeministri i dorëheqjeve të rralla politike

  • PublishedOctober 31, 2025

“Institucioni i dorëheqjes,” shkroi në një rast në vitin 2011 shkrimtari Ismail Kadare, “në shtetin shqiptar është themeluar nga Ismail Qemali.” Kadare iu referua në këtë mënyrë vendimit të themeluesit të shtetit të sotëm shqiptar më 1913 për të dhënë dorëheqjen si kryetar dhe për t’i hapur rrugën zbatimit të vendimit të Fuqive të Mëdha për shpalljen e Shqipërisë principatë, me Vilhelm Vidin si princ.

Dorëheqja nga pushteti si mënyrë për shmangien e një krize dëmtuese për shtetin dhe mirëqenien e qytetarëve, me të vërtetë u themelua nga Ismail Qemali, por që nga ajo kohë, është zbatuar jashtëzakonisht shumë rrallë në politikën shqiptare, të dominuar nga figurat autokratike që refuzojnë të zbresin nga kali, përveçse kur rrëzohen me forcë.

E pra, në këtë histori, Fatos Nano, tre herë ish-kryeministër, por pa asnjë mandat të plotë, i konsideruar në një rast si “i burgosuri i fundit politik” i vendit dhe i akuzuar shumë herë për korrupsion, i cili u nda nga jeta të premten më 31 tetor, ka gjasa do të mbahet mend si njeriu i cili dha dorëheqjen nga pushteti jo një, por dy herë, si dhe menaxhoi kalimin e parë të pushtetit pa dhunë masive dhe trazira të gjera civile te opozita në vitin 2005.

Nano, i cili rrjedh nga një familje zyrtarësh të lartë të Partisë së Punës, u rrit në një rrugicë në një lagje të vjetër të Tiranës, në atë që ai vetë në një rast e përshkroi si shtëpia e një tregtari këpucësh, të cilit ia patën konfiskuar pronën në kuadër të Tatimit të Jashtëzakonshëm në vitin 1947.

Po kështu, karriera e tij nisi brenda kuadrit të Partisë së Punës, në Institutin e Studimeve Marksiste Leniniste, një institucion që drejtohej nga Nexhmije Hoxha, bashkëshorte e diktatorit.

Nano u bë kryeministër në shkurt të vitit 1991, në kohën kur vendi ishte ende zyrtarisht nën regjimin e Diktaturës së Proletariatit, ndërsa në zgjedhjet e zhvilluara më 31 mars të atij viti, Partia e Punës siguroi shumicë dërrmuese përballë partive të reja opozitare të sapokrijuara.

Fitorja e zgjedhjeve, e siguruar në shumicë nga popullsia e varfër rurale, nuk e ndihmoi shumë Partinë e Punës të mbijetonte përballë krizës së gjithanshme ekonomike. Nano dha dorëheqjen më 5 qershor 1991, për t’i lënë vendin një qeverie të përbashkët me opozitën, pas ndërmjetësimit në Itali dhe një marrëveshjeje me Partinë Demokratike. Dy qeveri jetëshkurtra pasuan, ndërkohë që Partia e Punës kreu ribrandimin e vet në Parti Socialiste, kryetari i parë i së cilës u zgjodh Fatos Nano.

Kur Partia Demokratike erdhi në pushtet pas një fitoreje plebishitare në 22 mars 1992, vendi nuk përjetoi një vendosje të demokracisë se sa një vijim të diktaturës, ku qytetarët u dhunuan nëse protestonin, zgjedhjet u vodhën dhe, kryetari i opozitës, Fatos Nano, u arrestua dhe u dënua për korrupsion, ndërkohë që institucionet kryesore ndërkombëtare e konsideruan atë si arrestim politik.

Pasi bëri pesë vjet burg, Nano doli në vitin 1997 dhe pak muaj më vonë u bë kryeministër. Tensioni social ishte në ekstrem në këtë kohë, pas trazirave të vitit 1997, të cilat rrëzuan strukturën shtetërore dhe rendin publik dhe me tensionet në rritje në rajon, veçanërisht në Kosovë. Në 12 shtator 1998, Azem Hajdari, një deputet i opozitës, u vra për motive gjerësisht të debatueshme dhe të panjohura edhe sot, por protesta e dhunshme e opozitës gjatë funeralit të tij solli rënien e rendit publik edhe një tjetër herë, me protestuesit që depërtuan në mjediset e Këshillit të Ministrave dhe vodhën materiale të ndryshme.

Nano u largua nga vendi gjatë sulmit të opozitarëve, ndërsa një tanks i nxjerrë nga forcat e rendit ra në duart e opozitarëve, të cilët e parkuan për disa ditë pranë selisë së PD-së. Pak javë më vonë, Nano dha dorëheqjen për herë të dytë nga posti i kryeministrit për ta transferuar pushtetin te Pandeli Majko, në atë kohë 29 vjeç.

Largimi i Nanos nga skena politike si dhe shtimi i trazirave në Kosovë nga marsi i vitit 1998, pasuar nga Lufta e Kosovës dhe eksodi masiv, solli zbutjen e konfliktit të brendshëm politik.

Vendimi i tij për të mos ndërmarrë masa për arrestimin e Berishës kur erdhi në pushtet në vitin 1997, ka gjasa që solli ndërprerjen e një cikli hakmarrës dhe destabilizues të vendit. Ndryshe nga Nano, një nga pasuesit të tij, Ilir Meta, urdhëroi arrestimin e Berishës pas njërës prej protestave të shumta. Berisha kaloi një natë në komisariat.

Në tetor të atij viti, Nano ia doli të mposhtë në zgjedhjet brenda partisë së vet për postin e kryetarit Pandeli Majkon, pas një fushate takimesh në të gjithë Shqipërinë, ndërsa pak më herët, Sali Berisha pati mposhtur në garë brenda Partisë Demokratike Genc Pollon. Majko dha dorëheqjen pak ditë më vonë nga posti i kryeministrit për t’u zëvendësuar nga Ilir Meta. Meta ishte kryeministër kur, në vitin 2001, vendi mbajti një palë zgjedhjesh të shëmtuara me dhunë masive, korrupsion dhe falsifikim rezultatesh. Meta ishte formalisht kryeministri, partia e së cilit fitoi dy të tretat e parlamentit. Ai dha dorëheqjen pak muaj më vonë, në shkurt 2002.

Gjatë pushimit mes dy mandateve të tij si kryeministër, Nano u nda nga bashkëshortja e tij, Rexhina dhe u martua me Xhoana Nanon, disa dekada më e re.

Si pasojë e zgjedhjeve jo në përputhje me standardet, ndërkombëtarët ndërhynë në një proces ndërmjetësimi që, në vitin 2002, solli një marrëveshje të gjerë mes Fatos Nanos, si kryetar i Partisë Socialiste dhe Sali Berishës, si kryetar i opozitës, marrëveshje që i dha vendit të parin dhe të fundit president jopartiak të zgjedhur me kompromis mes palëve si dhe një reformë zgjedhore e cila garantoi, jo tamam zgjedhje të lira dhe të ndershme, por zgjedhje të pranueshme që sollën fitoren e opozitës në vitin 2005.

Po atë vit, Nano, duke respektuar politikën e brendshme të partisë së vet, dha dorëheqjen si kryetar dhe u tërhoq nga politika aktive.

Dy vendimet e tij të dorëheqjes nga posti i kryeministrit, më 1991 dhe më 1998, si dhe vendimi për dorëheqje nga posti i kryetarit të Partisë Socialiste më 2005, e bëjnë Nanon një figurë shumë të ndryshme nga udhëheqësit e tjerë që ka pasur vendi.

Në vitin 2006, kur pasardhësi i tij në Partinë Socialiste, Edi Rama mbajti një politikë tensioni, duke refuzuar të hyjë në zgjedhjet për pushtetin vendor, Nano u shfaq në krah të Berishës duke i bërë thirrje Ramës të mos ndiqte politikë tensioni. Në atë rast, një gazetare pyeti Berishën nëse ai i qëndronte akuzave që kishte hedhur më herët me bollëk kundrejt Nanos. Përgjatë kohës kur ishte në opozitë, Berisha akuzoi Nanon për një mori krimesh të përbindshme, përfshirë vrasje e drejtim krimi të organizuar. Duke iu përgjigjur pyetjes, Berisha në vitin 2006 deklaroi se fjalët e tij kishin qenë “gjuhë fushate”.

Fatos Nano është një nga tetë kryeministrat që kanë qeverisur vendin që nga vendosja e pluralizmit politik. Ai ishte babai i një djali dhe një vajze.