A e ka lëshuar Rama Belinda Ballukun? Albana Vokshi: Kryeministri duhet ta kishte shkarkuar, ai po e mbështet edhe pak, deri sa të…
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka komentuar zhvillimet më të fundit politike dhe paraqitjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku në SPAK, duke e cilësuar hetimin ndaj saj si “të vonuar” dhe “të mbushur me preferenca politike”.
E ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Vokshi u shpreh se drejtësia duhet të kishte vepruar shumë më herët, ndërsa shtoi se hetimet po zhvillohen me standarde të dyfishta.
“Thirrja në SPAK e Ballukut ishte e vonuar, duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë. Të gjitha raportet ndërkombëtare tregojnë se në Shqipëri ka korrupsion,” tha Vokshi.
“Rama po i lëshon një nga një, për të mos u prekur vetë”
Deputetja demokrate akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të shpëtojë veten duke sakrifikuar bashkëpunëtorët më të afërt.
“Rama do t’i lëshojë të gjithë, mjafton që ai të mos preket. Balluku po trajtohet me preferencë nga ana e SPAK,” u shpreh ajo.
Sakaq ajo theksoi se Rama do të vijojë të mbështesë edhe për pak kohë Ballukun, eri sa të gjejë një zgjedhje që atij mos t’i rëndojë shumë politikisht.
“Rama do vijojë ta mbajë, ta mbështesi edhe pak deri sa të gjejë një zgjedhje që atij mos ti rëndojë shumë politikisht”, tha Vokshi.
Sipas Vokshit, burime të brendshme flasin për një takim mes Ballukut dhe Ramës menjëherë pas daljes nga SPAK, ku kryeministri thuhet se i ka kërkuar dorëheqjen.
“Thuhet se pas daljes nga SPAK, Balluku shkoi te Rama. Ai i ka kërkuar dorëheqjen, por ajo nuk e ka pranuar. Si mund të hetohet një person për një aferë prej 190 milionë eurosh dhe të mos merren masa? SPAK ka informacion voluminoz për të,” – tha Vokshi.
Vokshi ngriti pikëpyetje për mënyrën si po trajtohen rastet nga drejtësia, duke kërkuar trajtim të barabartë për të gjithë zyrtarët nën hetim.
“Si është e mundur që persona të tjerë ndodhen në arrest me burg apo shtëpie për akuza shumë më të vogla, ndërsa Balluku qëndron e lirë? Rama po e mban edhe pak, derisa të gjejë një mënyrë për ta lëshuar,” deklaroi ajo.
“Balluku duhet të ishte shkarkuar nga Edi Rama. Le ta lirojë nga detyra, nëse vërtet beson se drejtësia ka punën e vet. Duhet të përballet me akuzat pa imunitet dhe pa mbrojtje politike,” përfundoi Vokshi.
