Alaudin Hamiti zbulon detaje të reja për “Big Brother VIP Kosova 4”
Moderatori i njohur i “Big Brother VIP Kosova”, Alaudin Hamiti, ka ndarë disa informacione të reja rreth edicionit të katërt të spektaklit më të ndjekur në vend. I ftuar në emisionin “Weekend” në Klan Kosova, Hamiti foli për përgatitjet intensive që po zhvillohen për nisjen e sezonit të ri, megjithëse nuk zbuloi një datë të saktë.
Sipas tij, shtëpia e “Big Brother VIP Kosova” këtë vit do të ketë një pamje tërësisht të ndryshme. Janë bërë ndryshime të dukshme në hapësirën e brendshme dhe në oborr, duke e bërë ambientin më të madh dhe më funksional për banorët. Po ashtu, është riorganizuar renditja e dhomave dhe e ambienteve të përbashkëta, për të ofruar një përvojë më dinamike dhe më interesante për publikun.
Hamiti pranoi se shtyrja e nisjes nuk ka qenë një vendim i dëshiruar, por një pasojë e përgatitjeve të shumta që po kërkojnë më shumë kohë se zakonisht. Me humor, ai shtoi: “E di që nuk muj me thënë datën, edhe e di që krejt kanë me na urry në këto momente… Unë ty mundem me të tregu, por nuk më lejohet me e thënë me zë.”
Ndërkohë, gazetarja Genta nga emisioni “Weekend” ka lënë të kuptohet se “Big Brother VIP Kosova 4” është shumë afër nisjes, duke shtuar se publiku duhet të presë edhe pak për të parë surprizat që ky edicion premton.
