Sat, Nov 1, 2025

Enkileda Carja nderon Shqipërinë në Europian, trajnerja Eglantina Çuni rrëfen suksesin: Ia doli mes sakrificave

  • PublishedNovember 1, 2025

Kampioni nuk lind çdo ditë, por kur lind, spikat me dritën e vet. Kështu po ndodh edhe me Enkileda Carjen, vajzën 17-vjeçare nga Elbasani që i dha Shqipërisë një tjetër krenari, duke u shpallur kampione e Europës në peshëngritje dhe duke thyer gjashtë rekorde për moshën e saj, në një garë që emocionoi gjithë sportdashësit shqiptarë.

Për vetëm 1 kg humbi mundësinë që të thyente rekordet edhe për U-20. Trajnerja e saj, Eglantina Çuni, e cila e ka ndjekur hap pas hapi në çdo stërvitje, nuk i fsheh emocionet pas këtij suksesi historik. Në prononcimin për “Panorama Sport”, ajo tregon se çdo medalje e Enkiledës është fryt i një pune titanike dhe i një përkushtimi që rrallë shihet në këtë moshë.

“Këto ishin arritje të pritshme nga ana jonë, sepse jemi stërvitur enkas për këto ditë. Enkileda e pati më të vështirë garën, sepse vajzat e tjera ishin 20 vjeçe, ndërsa ajo vetëm 17. Ka sakrifikuar shumë, edhe pse është ende e re. Vetëm fakti që në janar mbush 18 vjeçe e bën këtë sukses edhe më të madh. Ka zbritur nga pesha 64 në 63 kilogramë, në një kohë kur kundërshtaret e saj janë ngjitur dhe kanë pasur avantazh fizik. Por puna jonë dhe përkushtimi i saj e bënë diferencën”, tregon me krenari Çuni.

Trajnerja kujton se viti 2025 ka qenë ndër më të ngarkuarit, por edhe më të frytshmit në karrierën e peshëngritëses së re.

“Këtë vit kemi bërë tre nga aktivitetet më të rëndësishme ndërkombëtare. Në Peru, Enkileda mori një medalje bronzi për U-20 në Botëror. Kjo na dha besim, sepse e kuptuam që mund të ishim ndër më të mirat e Europës. Sot, ajo është pjesë e elitës europiane”, vijon trajnerja.

Në fund, Çuni nënvizon se suksesi i Enkiledës është një frymëzim për të gjithë sportin shqiptar. “Të veçantën e bën vetëm puna. Serioziteti dhe dëshira e madhe për të arritur në majat e botës janë armët e saj”, përfundon trajnerja me emocion.