Hakmarrja mes dy familjeve që përfundoi në tragjedi, fiset në hasmëri prej vitesh! Breshëri me 2,000 plumba në Kretë, tre të vrarë dhe disa të plagosur
Një ngjarje e përgjakshme ka tronditur ishullin e Kretës mëngjesin e së shtunës (1 nëntor), ku tre persona kanë humbur jetën dhe të paktën 15 të tjerë janë plagosur, mes tyre gra dhe fëmijë, pas një përleshjeje të armatosur midis dy familjeve në fshatin Vorizia, në komunën e Phaistos, Heraklion.
Sipas mediave greke, përplasja ndodhi pas shpërthimit me eksploziv në një banesë natën e kaluar (31 tetor), çka u bë shkaku që dy familjet Kargakis dhe Fragkiadakis, të njohura për konfliktet e tyre të vjetra, të merrnin armët.
Në vendin e ngjarjes u qëlluan mbi 2,000 plumba, ndërsa banorët tregojnë se fshati u kthye në një zonë lufte.
Në bilancin tragjik, mes viktimave janë një nënë 55-vjeçare dhe vajza e familja Fragkiadakis, si dhe djali 35-vjeçar i familjes Kargakis, ka bërë të ditur komandanti i Spitalit “Venizelio”, Costas Dandoulakis.
Infermierja e ndjerë, nënë e dy fëmijëve
Mediat vendase raportojnë se 55-vjeçarja ishte infermiere në Spitalin e Hanias. Ajo kishte udhëtuar nga Hania drejt Vorizias për shërbesën përkujtimore të babait të saj, pa e ditur se do të gjente vdekjen në mënyrë tragjike. Gruaja ishte e ve dhe nënë e dy fëmijëve të rritur.
Përleshje e përgjakshme me kallashnikovë dhe pushkë
Sipas informacioneve nga portali zarpanews.gr, dy familjet kanë pasur mosmarrëveshje për çështje financiare dhe pronësie prej vitesh. Konflikti u përshkallëzua kur palët u përballën me armë, duke djegur shtëpi, makina dhe duke shkaktuar dhjetëra të plagosur.
Në total, 15 persona u plagosën, katër prej tyre rëndë, përfshirë edhe oficerë policie që u përpoqën të ndalnin gjakderdhjen.
Për shkak të tensioneve, të plagosurit u transportuan në spitale të ndryshme – në Moirë dhe Agia Varvara – në mënyrë që të mos përballeshin dy familjet.
Në disa raste, fshatarët përdorën traktorë dhe makina bujqësore për të dërguar të plagosurit në qendra shëndetësore, pasi ambulancat e EKAB nuk mund të hynin menjëherë në zonë.
Policia greke në alarm të plotë
Forca të shumta policore janë vendosur rreth fshatit Vorizia dhe në spitalet ku po trajtohen të plagosurit, për të shmangur çdo përleshje të re mes familjeve.
Në zonë ndodhet edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kretës, Nikolaos Spyridakis, ndërsa hyrjet në fshat janë bllokuar.
Raportet flasin për një hakmarrje të përgjakshme, ndër më të rëndat që ka parë ndonjëherë Kreta.
Banorët thonë se gjatë përleshjes, “u detyruan të mbyllnim dritaret dhe të striheshim në dysheme nga frika e plumbave”.
Shpërthimi i bombës
Shkaku i gjakderdhjes që ndodhi sot ishte, siç u përmend më sipër, vendosja e mjetit shpërthyes, i cili shpërtheu në një shtëpi në ndërtim e sipër që i përkiste njërës prej dy familjeve, pak para orës 23:00, natën e kaluar (31/10).
Sipas Policisë, zhurma shurdhuese e dëgjuar nga shpërthimi shkaktoi rrëmujë në zonë, por për fat të mirë nuk pati të lënduar, vetëm dëme materiale në shtëpinë në ndërtim e sipër


