Hasmëria mes 2 fiseve në Kretë, Policia merr kontrollin e fshatit, dy të vrarë dhe disa të plagosur, banorët të terrorizuar nga breshëria e plumbave
Detaje të reja zbardhen lidhur me masakrën në ishullin e Kretës në Greqi, ku si pasojë e përplasjes me armë mes dy fiseve mbetën të vrarë 2 persona dhe rreth disa të plagosur.
CNN Greece raporton se policia ka marrë nën kontroll fshatin Vorizia të Heraklionit, pas përplasjes së përgjakshme mes dy familjeve rivale.
Sipas mediave greke, në vendngjarje janë gjetur rreth 2 mijë plumba, që kanë përshkuar gjithçka përpara, duke lënë pas dy të vdekur dhe disa katër të plagosur, mes tyre edhe autorët e ngjarjes.
Dy viktima dhe dhjetëra të plagosur
Burimet nga policia thonë se njëri prej autorëve është vrarë, ndërsa dy persona nga familja rivale ndodhen në spital në gjendje të rëndë dhe pritet të arrestohen sapo gjendja e tyre shëndetësore ta lejojë.
Megjithatë, raportime të tjera jozyrtare flasin për deri në 14 të plagosur, 6 prej të cilëve nuk kanë lidhje me konfliktin e armatosur.
Ndër viktimat është një grua 55-vjeçare, infermiere në Spitalin e Hanias, e cila kishte shkuar në fshat për një ceremoni përkujtimore për babain e saj. Mësohet se ajo ka ndërruar jetë nga ataku kardiak, ndërsa motra e saj 53-vjeçare ka mbetur e plagosur.
Viktima tjetër është një burrë 35-vjeçar, pjesëtar i njërës prej familjeve të përfshira në përleshje.
Kaos dhe skena horror në fshat
Sipas dëshmitarëve, fshati ka marrë pamjen e një “fushë beteje”, me automjete me xhama të thyer nga plumbat dhe të plagosur që u transportuan në spitale me automjete bujqësore.
Në Spitalin Venizelio, ku është dërguar trupi i 35-vjeçarit, janë zhvilluar skena tragjike, me familjarët që shpërthenin në lot e ofendonin policinë.
Ndërkohë, trupi i 55-vjeçares është transferuar në Qendrën Shëndetësore të Mires, ku ambulancat vijojnë të qarkullojnë pa ndërprerje.
Forca speciale në Kretë – përfshihet edhe FBI-ja greke
Në Kretë do të shkojë personalisht Shefi i Policisë Helenike, i shoqëruar nga Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe një njësi speciale kundër krimit të organizuar (“FBI-ja greke”), për të drejtuar hetimet dhe për të kapur autorët.
Burimet bëjnë me dije se familjet e përfshira kanë pasur më parë përplasje për vjedhje bagëtish dhe konflikti është përshkallëzuar pas një shpërthimi që ndodhi në një shtëpi në ndërtim të premten mbrëma.
Masakër që kujton vitin 1955
Mediat greke e lidhin këtë përgjakje me hakmarrjen e famshme të vitit 1955, ku në fshatin Riziti humbën jetën gjashtë persona dhe u plagosën 14 të tjerë, gjithashtu pas një konflikti mes familjeve.
Policia ka vendosur forca të shumta në terren për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të rikthyer rendin në zonë.


