Leonardo Gashi ‘shkruan’ fundin e dashurisë me Lelen në këngën ‘Ex’!
Leonardo Gashi ka rikthyer vëmendjen e publikut me projektin e tij më të ri muzikor të titulluar “Ex”, i cili është publikuar mbrëmjen e sotme dhe po komentohet gjerësisht në rrjete sociale. Kënga vjen në një moment kur po përflitet për një krizë të mundshme në marrëdhënien e tij me partneren, Lelen, duke bërë që shumë ndjekës ta interpretojnë si një reflektim personal të këngëtarit.
Teksti i “Ex” është i ngarkuar emocionalisht dhe mbart ndjenja të forta zhgënjimi e nostalgjie. Me vargje si “Sot pi kanë puthjet e mia, sa trona ato që i bane… s’du me dit pse, ma ktheve zi”, Leonardo duket se shpreh dhimbjen e një ndarjeje që ende nuk është shëruar plotësisht. Në refrenin e këngës ai shton: “Dashni un për ty qa kom ni, se di pse ti ma ktheve shumë zi”, duke theksuar tronditjen dhe zhgënjimin nga fundi i lidhjes.
Fansat kanë reaguar menjëherë në komente, duke ndarë mendime të ndryshme. Disa mendojnë se kënga është thjesht një projekt artistik i frymëzuar nga tema universale e dashurisë, ndërsa të tjerë janë të bindur se bëhet fjalë për një rrëfim personal pas ndarjes me Lelen.
“Ex” është publikuar në YouTube dhe platformat muzikore, duke u pritur me shumë kuriozitet. Me këtë këngë, Leonardo Gashi duket se ka zgjedhur të shprehë emocionet përmes muzikës, duke treguar një anë më të ndjeshme dhe më të sinqertë të vetes.
