Sat, Nov 1, 2025

Mbretëresha e Halloween-it: Heidi Klum mahnit me kostumin e saj mitologjik

  • PublishedNovember 1, 2025

Supermodelja gjermane Heidi Klum ka befasuar sërish fansat këtë Halloween, duke u shfaqur me një kostum krejtësisht të pazakontë që e shfaq edhe më fort si “Mbretëresha e Halloween-it”. 52-vjeçarja zgjodhi këtë vit të transformohej në Medusa-n mitologjike, krijesën që, sipas legjendës greke, ktheu në gur këdo që e shikonte në sy.

Klum e prezantoi pamjen e saj gjatë festës së 24-të të përvitshme të Halloween-it në Nju Jork, më 31 tetor. Në krah kishte bashkëshortin, Tom Kaulitz, i cili ishte veshur si një ushtar grek i kthyer në gur – një përputhje perfekte me temën e saj mitologjike.

Pavarësisht “fatit” të personazhit të tij, Kaulitz tha për revistën PEOPLE se e konsideronte kostumin e Klum “shumë seksi”. Edhe Klum nuk nguroi të komplimentonte bashkëshortin, duke thënë me humor se “duket super i nxehtë”.

Në një video në Instagram, ajo shkroi: “HAPPY HEIDIWEEN 🐍 Mos më shikoni shumë gjatë, përndryshe do të ktheheni në gur!” Kostumi përfshinte një bisht të gjatë dhe gjarpërinj lëvizës në vend të flokëve, të realizuar nga artisti i njohur i grimit Mike Marino, fitues i një çmimi Emmy dhe i nominuar tre herë për Oscar.

Si çdo vit, Klum tregoi përkushtimin e saj maksimal: orë të tëra në karrigen e grimit dhe muaj përgatitjesh për të sjellë një pamje që i kalon kufijtë e imagjinatës.