Mbrojtja dhe fantazia, dy problemet e Vllaznisë së Martinit
Mbrojtja është reparti te Vllaznia që ka pasur më shumë “defiçite” gjatë këtij edicioni. Me repartin e prapavijës që është hasur shpesh me pezullimet e futbollistëve, por edhe me dëmtimet e tyre. Edhe në ndeshjen e fundit ndaj Flamurtarit të humbur në shifrat 1-0, skuadra kishte disa mungesa të rëndësishme në këtë repart.
Pavarësisht se për t’i qëndruar asaj çfarë u shikua në fushën e lojës ndaj vlonjatëve, mbrojtja nuk është se çaloi në këtë duel. Ku loja në përgjithësi nuk u ngrit asnjëherë në nivelin e duhur dhe rastet munguan nga ana e të dy ekipeve. Megjithatë për t’u rikthyer tek mungesat e futbollistëve, në mbrojtje për Vllazninë nuk ishin të pranishëm emra si: Aleksander Kuros dhe Melos Bajrami. I pari për shkak se u ndëshkua me karton të kuq në takimin e fituar ndaj Tiranës të fituar me shifrat 3-1 nga ana e Vllaznisë. Ku për mëngjarashin pritet të paguhet edhe gjoba në mënyrë që të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës ndaj Egnatias.
Po ashtu shpresat janë të mëdha edhe për një rikthim të Bajramit për duelin ndaj rrogozhinasve. Pavarësisht se gjendja e tij do shikohet me kujdes gjatë këtyre ditëve, për shkak që të mos rrezikohet për duelet e ardhshme në kampionat. Një mundësi për t’u parë në fushë duket se do ketë edhe për Jasmin Çelikoviç, mbrojtësin e afruar në ditët e fundit të shtatorit në radhët e shkodranëve. Shtatlarti nga Bosnja ende nuk ka shijuar minutat e tij të para me fanellën e 9 herë kampionëve të Shqipërisë. Pavarësisht se forma e tij sportive duket optimale dhe i gatshëm për të dhënë kontributin e tij në fushën e lojës. Por, deri në fundin e javës pritet të ketë zhvillime të tjera përsa i përket formatimit të skuadrës për ndeshjen me Egnatian. Ku për Vllazninë priten ndryshime në formacion bazuar edhe në formën fizike që do shfaqin futbollistë të caktuar.
FANTAZIA – Përveç humbjes së fundit ndaj Flamurtarit në shifrat 1-0, tek Vllaznia një shije jo pozitive la edhe loja e ekipit. Ku nga 9 javë të zhvilluara në kampionat deri më tani për kuqeblutë, kjo ishte ndeshja më e dobët e skuadrës. E cila arriti të krijonte shumë pak për të mos thënë aspak në portën e vlonjatëve. Të cilët thuajse në asnjë moment nuk ishin në panik nga sulmet kuqeblu, ndryshe nga ç’kishte ndodhur me kundërshtarët e tjerë të Vllaznisë në javët e shkuara. Ku shkodranët kishin dominuar thuajse çdo rival nga minuta e parë në të fundit. Ajo çfarë u vu re në ndeshjen ndaj kuqezinjve ishte një mungesë fantazie dhe qarkullimi topi në mesfushë.
Që ka karakterizuar ekipin e Martinit në këtë fazë të parë të edicionit. Sherif Kallaku nga i cili pritet shumë në radhët e shkodranëve duket se po vuan ende dëmtimin. Me fushëkrujasin që ka një shqetësim që e shoqëron që nga ndeshja me Elbasanin në javën e 6-të. Pavarësisht se ishfutbollisti i Teutës ka luajtur duke sakrifikuar për skuadrën shkodrane. Megjithëse niveli i tij nuk ka qenë më i miri i mundshëm në raundet e fundit, ku numri 10-të nuk ka shfaqur potencialin për të cilin njihet në Superiore. Po ashtu edhe mungesa e Muratajt, i cili gjithashtu ka vuajtur nga një dëmtim, ka ndikuar në nivelin e lojës së Vllaznisë.
Me 23-vjeçarin i cili në 5 javët e para të edicionit ishte ndoshta futbollisti më i spikatur jo vetëm te Vllaznia, por në mbarë Superioren. Prandaj forma fizike jo në 100% të dy elementëve nga të cilët varet shumë fantazia dhe loja e skuadrës, ka ndikuar edhe në nivelin e shfaqur të Vllaznisë në ndeshjen e fundit. Me Martinin që shpreson t’i ketë në formën e tyre më të mirë dyshen sa më shpejt të jetë e mundur. Ku Vllaznia që në këtë javë të ardhshme, në duelin e javës së 10-të përballë Egnatias do kërkojë të rikthehet tek fitorja dhe shkëputja në krye të tabelës së klasifikimit.
