Tentativa e Enver Hoxhës për të marrë 7 valixhet e Mbretit Zog në Bruksel! Misioni i zbuluesit Mullai, si u përzgjodh oficeri për të hyrë në radhët e mërgatës
PËLLUMB VREKA
PJESA E PARË
Isuf Mullai ka qenë një oficer i Sigurimit të Shtetit, në fushën e zbulimit. Në Sigurimin e Shtetit ka pasu edhe zbulues të tjerë për aktivitet brenda dhe jashtë vendit. Të gjithë këta i kanë shërbyer qëllimeve të Partisë së Punës, jo vetëm për të mbledhur informacione, por edhe për eliminimin fizik të kundërshtarëve dhe personave që paraqisnin rrezik për regjimin dhe pushtetin komunist. Njëkohësisht është përdorur edhe për eliminimin e funksionarëve të lartë, të cilët “me demek” i kishin marrë erzin Partisë, siç ishte rasti i Panajot Plakut, kuadër me emër dhe ministër, i cili nën presionin e pushtetit u arratis dhe kërkoi strehim politik në Jugosllavi. Pas disa kohësh Panajot Plaku vdiq në rrethana misterioze dhe faktet flisnin se ka qenë dora e Sigurimit të Shtetit. Edhe Veliko Seferi nga Tepelena punoi në zbulim në Egjipt (vini re… deri në Egjipt) për interesa të Partisë së Punës, por u dekonspirua dhe u kthye në Shqipëri. Mirëpo meqenëse kishte qenë partizan dhe i plagosur në shpinë me cifla granate, për të mbuluar dështimin e tij, gazeta “Zëri i Popullit”, diku nga viti 1976 botonte artikullin “Lëkura me Arna”! Mirëpo, të shkruash në shtyp apo të bësh një libër për një oficer të Sigurimit nuk është aq e kollajshme. Kur kjo ndodhte bëhej për dy arsye: ose që agjenti ishte zbuluar, ose nga pakujdesia, ose nga dekonspirimi dhe në raste të tilla zbuluesi duhej automatikisht të kthehej në atdhe. Kështu, i ndodhi Velikos, i cili gjatë aktivitetit të tij në Egjipt si zbulues dështoi, se si e pse kjo sigurisht nuk u mor vesh kurrë. Në raste të tjera kthimi në atdhe ndodhte kur misioni jashtë vendit përfundonte me sukses dhe pas kthimit, shteti i trajtonte me respekt, me dekorime e me shpërblime të ndryshme. Sakrifica e tyre shpërblehej nga shteti me strehime në banesa, punë të respektueshme, bursa për fëmijët etj..
Isuf (Cufe) Mullai, (alias Manush Kelmendi në librin “Mërgata e Qyqeve” e shkrimtarit të dëgjuar Nasho Jorgaqi), kthehet përsëri në atdhe pas mbarimit të misionit dhjetëvjeçar në Bruksel, vini re, dhjetë vjet larg familjes e njerëzve të dashur, e përse, jo për të fituar para, por për një detyrë patriotike të ngarkuar nga…Partia! Pas kthimit në atdhe, ai u emërua drejtor i hotel “Adriatiku” dhe i hotel “Vollga”, në Durrës, të cilët ishin të destinuar vetëm për turistët e huaj. Në këtë kuadër, edhe unë pata rastin disa herë të kaloja nga një javë pushime në këto hotele si njeriu i Cufes! Në një rast, veçoj një ndodhi kur së bashku me gruan e gjetëm hotelin plot me… kinezë, të cilët kishin ardhur para disa kohësh me vaporin transoqeanik dyzet e gjashtë mijë tonësh “VAMPO”. Cufja na porositi të rrinim si në shtëpinë tonë, se kinezët shohin punën e tyre. Por i shtyrë nga kurioziteti për punën e tyre në Shqipëri, sepse ata vaporin ia kishin dorëzuar autoriteteve shqiptare, e cila i ndryshoi emrin menjëherë në “Vlora” nisa t’i pyesja një e nga një: a flisni italisht? Përfundimisht, dolën dy që dinin italisht, një i zakonshëm dhe një tjetër special… se ishte kuzhinier!
Pyeta të parin se – ku shkonin në mëngjes me autobus dhe ktheheshin në darkë?
-Mbledhim gurë lumi, në jug të Shqipërisë për t’i përpunuar e për t’i bërë… sy false! – ishte përgjigja. E kuptova që gënjente, prandaj mendova ta provoja me kuzhinierin, me të cilin kisha më shumë kohë për të biseduar. Bile, për respekt na jepte edhe ndonjë dhuratë si kuti speciale me biskota, kuti me çaj kinez etj..
-Çfarë bëjnë këta në Shqipëri – e pyeta?
-Ndihmojnë Shqipërinë në ndërtimin e tuneleve në ujë – m’u përgjigj kinezi drejt e drejt.
Domethënë, këta punokan në Pashaliman – bëra lidhjen unë!
Por, le të vazhdojmë me historinë e pjesës së panjohur të Cufes. Cufja në kohën e Mbretërisë së Zogut kishte qenë në vitin e parë të Shkollës së Kadetëve, shok shkolle së bashku me Abaz Fejzon, i cili u bë më vonë Komandant i Përgjithshëm i Tankeve dhe i Mjeteve të Blinduara, i dënuar dhe i burgosur në vitet 1974 nga Enver Hoxha. Në atë kohë, ndodhi martesa e Mbretit Zog I dhe babai i Cufes që njëkohësisht ishte edhe shoqërues i Abaz Kupit, i dërgon Mbretit dhuratë për dasmë shtatë desh nga të kopesë së tij. Për t’i dalluar nga bagëtitë e tjera, deshët e tij ai leu me bojë të kuqe në shpinë. Dhe, koha vërtetoi se edhe mbas disa dhjetëra vitesh, Mbreti Zog e mbante mend këtë dhuratë të veçantë. I ati i Cufes, vërtet ishte shoqëruesi i Abaz Kupit, por nuk e kishte shkrepur asnjëherë pushkën e tij. Abazi e donte se ishte trim i çartur, por edhe shumë i sinqertë. I përmendim këto dy fakte, se më vonë ato do t’i shërbejnë Cufes në punën e tij të zbuluesit.
ZBULIMI I VALIXHEVE TË ZOGUT
Pas lufte, Cufja shërbente si oficer në Marinën Shqiptare në Durrës ku edhe banonte me familjen. Ndërkohë, Mbreti Zog në mërgim, falë një neni të posaçëm të Kombeve të Bashkuara, si të gjithë sovranët e tjerë të Europës, të larguar nga pushteti, në një formë apo në një tjetër, që dispononin edhe dokumentacionin e Mbretërisë, gëzonte të gjitha të drejtat e sovranit për t’u kthyer në pushtet. Dhe dihej, që Zogu kur u largua nga Shqipëria me ardhjen e Italisë fashiste si pushtuese, u largua në drejtim të Selanikut në Greqi me një karvan veturash të ngarkuara me baule e valixhe. Midis bagazheve të ndryshme gjendeshin edhe shtatë valixhe të mbushura me dokumente të Mbretërisë, për të cilat mendohej se ishin të mbushura me flori. Broçkulla! Ato ishin të mbushura me dokumente të Mbretërisë, për arsye se Mbreti Zog nuk u largua si azilant, por si një mbret në mërgim, ku do të vazhdonte aktivitetin e tij, duke lëshuar edhe pasaporta “MRETNIJA SHQIPTARE”, duke organizuar mbrëmje balloje si edhe takime në nivel mbretërish. Këtu përfshiheshin edhe financimet e grupeve diversioniste që ai dërgonte herë pas here në Shqipëri për të bërë të mundur rrëzimin e pushtetit komunist të Enver Hoxhës. Zakonisht, grupet përgatiteshin në bazat ushtarake në Gjermani dhe në periferi të Athinës. Njerëzit përzgjidheshin nga të grumbulluarit në kampin e Livornos në Itali. Qëllimi dhe fundi i aktivitetit të tyre tashmë dihen. Pikërisht, ndërprerja e këtyre aktiviteteve diversioniste e sabotazhi, por sidomos dokumentacioni i Mbretërisë që gjendeshin në valixhet e Mbretit Zog në ekzil, e shqetësonin jashtëzakonisht Enver Hoxhën. Për këtë arsye, një ditë të bukur thërret Kadri Hazbiun dhe i kërkon të dërgohet një oficer zbulimi në Bruksel, ku kishte selinë Mbreti Zog së bashku me stafin e tij, me qëllim për të shtënë në dorë të shtatë valixhet me dokumentacion. Përzgjedhja e oficerit duhej të ishte komplekse, duhej një profesionist i mirë, patriot, trim, veçanërisht njohës edhe i gjuhës së huaj. Problem ishte edhe biografia, sepse dihej që pala tjetër do bënte verifikimet e saj në këtë drejtim, sidomos për prejardhjen për të mos lejuar futjen e “kolonës së pestë” në radhët e mërgatës dhe stafit afër Mbretit. Sidomos, një plus i madh do të ishte që i përzgjedhuri duhej të plotë sonte edhe një kusht të padiskutueshëm. Të kishte një lidhje ose një afrimitet me ambientin e Mbretit Zog I gjatë kohës së tij në pushtet. Kjo, për arsye se qëllimi i detyrës do ishte infiltrimi i tij në rrethin e oborrit të Mbretit Zog në Bruksel. Pas shoshitjes së një numri personash, u konkludua se Isuf Mullai ishte personi ideal për këtë mision, përveç të tjerash edhe për kontaktin që kishte ai nga babai, ish-shoqërues i Abaz Kupit dhe i dhuratës së veçantë në dasmën e Mbretit. (Më pas, Mbreti ia shprehu edhe vetë Cufes se nuk e kishte harruar atë dhuratë karakteristike).
MISIONI I RREZIKSHËM
Misioni ishte sa delikat e i rëndësishëm, po aq edhe i rrezikshëm sepse do futeshe e të penetroje midis ujqërve. Sigurimi i Shtetit nuk shpenzonte kot një dollar e jo më të mbante me shpenzime një person për dhjetë vjet. Përfundimisht, për këto kushte optimale, u vendos që në këtë detyrë të dërgohej Isuf Mullai. Kadriu e thirri personalisht në zyrë dhe në bisedën kokë më kokë që bënë, ai i shpjegoi detyrën, lidhjet dhe mënyrën e pagesave që do të bëheshin për të. Por, pas disa ditësh, Kadriu e thërret përsëri Cufen në zyrë ku prezentë ishin edhe tre oficerë të tjerë të Sigurimit. Në prezencë të tyre ai e pyet:
-Isuf, përse nuk e ke shkruar në karakteristikën tënde se ke qenë nxënës në shkollën e Zogut?
-Po unë atje vetëm gjashtë muaj qëndrova – justifikohej Cufja – pastaj nuk e pashë të arsyeshme dhe u largova.
-Bukur – vazhdoi Kadriu – po që babai yt ka qenë shoqërues i Abaz Kupit, edhe për këtë nuk e pa të arsyeshme të njoftoje?
Sigurisht, shoku ministër – por babai vetëm hyzmeqar ishte, nuk kishte ndonjë post e as ndonjë funksion, edhe pushkën nuk e kishte shkrepur asnjëherë.
-Bukur, tani hiq kapelen dhe vendose në tavolinë, po ashtu dorëzo edhe pistoletën. Pas kësaj, ke pesëmbëdhjetë ditë kohë të gjesh një kamion, të ngarkosh rraqet e shtëpisë dhe të përfundosh në fshatin tënd, në FushëBardhë.
-Po më internoni? – pyeti Cufja.
-Jo, jo, merre si i çmobilizuar për fshehje të së vërtetës në biografi!
Kështu, Cufja, sipas programit të parapërgatitur, gjeti një “Zis”, ngarkoi plaçkat në të dhe iku në fshat së bashku me familjen, për të vazhduar operacionin “Valixhja”. Fshati i Cufes, Fushë-Bardha, fshat mes malesh, me një “kupë qiell”, me një rrugë copë-copë, ishte gjithashtu edhe fshati i anëtarit të Byrosë Politike dhe ish-Kryeministrit të mëvonshëm të Shqipërisë, Adil Çarçanit. Bashkëfshatarët e tij, atëherë shpreheshin me qesëndi se: “… njëzet vjet kryeministër, as rrugën e fshatit nuk e shtroi dot me asfalt…”.
HAPJA E KUFIRIT
Dy muaj në fshat, Cufja vinte vërdallë dhe çoku bënte ndonjë punë në bahçen e shtëpisë. Fshatarët me ta marrë vesh që e kishin çmobilizuar, iu larguan dhe i rrinin ftohtë se e gjykonin si të “internuar, me biografi të keqe”. Pas dy muajsh pritjeje, u “hap” kufiri, dmth. nga piramida x deri në piramidën y nuk do të kishte patrulla kufitare për kontroll të kufirit për gjashtë orë. Kështu, Cufja i “mërzitur” nga kushtet dhe trajtimi në fshatin e tij, Fushë-Bardhë, që vendësit e quanin “fundi i botës”, vendosi të arratisej dhe kështu bëri. Kaloi kufirin pa i hyrë “gjemb në këmbë” dhe u paraqit në postën kufitare greke. Meqenëse greqishten Cufja e “thante”, u kuptua me oficerët grekë, të cilët e vlerësuan dhe e dërguan “kartë postale” në Athinë, ku e mori në dorëzim Shërbimi Sekret Grek. Aty, filloi përpunimi, presioni dhe torturat për të nxjerrë të vërtetën e arratisjes, paralel bëhej edhe verifikimi i origjinës. Por, Cufja dilte pak i dyshimtë se kishte qenë oficer ushtrie në Marinë. Praktika e punës në Greqi ka qenë që çdo i arratisur, futej në kamp. Aty ata i nënshtroheshin një trajtimi çnjerëzor torturues, deri edhe në vendosjen e elektroshokut në kokë, gjë e cila Cufes i solli dëmtimin e daulles së veshit. Pas kësaj, seleksionoheshin më të përshtatshmit, të cilët trajnoheshin dhe më pas dërgoheshin në Shqipëri për diversione të ndryshme. Kohë më vonë, pasi ishte kthyer, shkuam për drekë në shtëpi të Cufes, e shoqja po lante enët dhe ai më dha të provoja aparatin special që ia kishin siguruar shteti shqiptar. E vura në vesh, por sfungjeri në pjata më gjëmonte si sharrë druri. Eh, punë shkence! Duke parë situatën e vështirë në kampin grek, në krye të vitit grekët vendosin ta trajnonin dhe ta nisnin Cufen diversant në Shqipëri. Cufja u detyrua të nxjerrë “asin” nga mënga.
-E bëra – u shpreh më vonë – se po e shihja se do përfun doja ose në një burg të qelbur grek, ose diversant në Shqipëri. I kërkova hetuesit më kompetent të grekëve që të më dëgjonte një deklaratë timen. Ai pranoi, e para se ishte kurioz, e dyta i kishte ardhur në majë të hundës që Cufja ishte “kokëderr”.
-Ju – i thashë – vendosni si të doni për mua, por do të jetë më mirë edhe për ju të pyesni më parë Abaz Kupin si kryetar i “Legalitetit” gjatë luftës.
Emri i Abaz Kupit ishte jashtëzakonisht i njohur në qarqet greke, deri edhe në qeveri. Hetuesi e vlerësoi deklaratën time dhe pas disa ditëve erdhi dhe më uroi rrugë të mbarë, por edhe më kritikoi përse nuk u prezantova që në fillim nën emrin e Abaz Kupit. Pas largimit të hetuesit, njeri nga rojet që ishte me origjinë shqiptare (lexo minoritare) dhe që sillej mirë me shqiptarët, pavarësisht se të kujt kategorie ishin, më thotë:
-Ka dhënë porosi Abaz Kupi që të lirohesh menjëherë, garant jam unë. Të dërgohet sa më parë në Itali, në kampin e Livornos.
Kështu, pas muajsh presionesh dhe torturash, Isuf Mullai, bashkë me disa të tjerë, e gjeti veten në kampin e Livornos, mes qindra shqiptarëve, të cilët nën emrin e partisë së tyre, nën efektin e pijeve alkoolike, dëshpërimit dhe shpresës se një ditë do të bjerë regjimi i Enver Hoxhës, kacafyteshin deri edhe në rrahje në grupe, se kush kishte luftuar më shumë e se kush e meritonte pas rënies së Enver Hoxhës, një …post drejtues. Gallatë dhe estradë e paparë midis shqiptarëve… por edhe tragjike! Ndërkohë, në fshatin e Cufes, familja vuante pasojat e një familje më kryefamiljarin e arratisur në Perëndim. Askush nga familja apo farefisi nuk e dinte të vërtetën e “arratisjes” së Cufes. Me përjashtim të së shoqes, e cila u betua se do ta ruante sekretin dhe do e priste derisa të kthehej. Nëse kthehej, se kishte raste që agjentët zbuloheshin dhe ekzekutoheshin! Por Cufja ishte i lindur me këmishë. Njëkohësisht, në Shqipëri, në mungesë të Cufes, shteti ndihmonte në mënyrë të heshtur dhe fshehurazi familjen e Cufes nga ana ekonomike.
Autori, drejtor i Revistës “HOSTENI”
/Gazeta Panorama
