Agron Duka: PS nuk e mbështeti Nanon për president, e afruan vetëm kur s’pati më ambicie!
Ish-ministri në kabinetin “Nano”, Agron Duka, aktualisht kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, kujtoi historinë e miqësisë dhe njohjes me ish-kryeministrin e ndjerë Fatos Nano, i cili u përcoll sot për në banesën e fundit, pasi u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare.
Ish-deputeti tha se në vitin 2000 mori telefonatën e parë nga Nano, të cilin nuk e njihte dhe as e kishte takuar kurrë më parë. ish-kreu i PS i kishte kërkuar të kandidonte në Bashkinë e Shijakut, një bastion i djathtë, por e kishte refuzuar.
“Zona e Shijakut ishte e djathtë dhe problematike. Ai nëpërmjet një të njohurit tim më telefonoi që dhe më kërkoi të kandidoja për Bashkinë e Shijakut, kanë qenë zgjedhjet lokale të vitit 2000, kujtoj, dhe unë nuk pranova. Nuk e njihja më parë Fatos Nanon. Ajo zona dihej se ishte problematike dhe shumë e djathtë. Më vonë, patëm fatin të takoheshim shpesh edhe në takime informale e të kishim miqësi, në vitin 2001 u emërova prefekt i Durrësit nën drejtimin e qeverisë së tij dhe më pas ministër me kabinetin e tij dhe me atë të Ilir Metës”, kujtoi Duka për News 24.
Gjithashtu ish-ministri tregoi detaje nga mbledhjet qeveritare, diskutimet politike dhe në kabinetin “Nano”. Duka tha se Nano ishte liberal, i kuptonte dhe pranonte argumentet dhe kishte shumë tipare pozitive dhe me zgjuarsi të lindur.
“Kjo ka qenë njohja ime me të. Mbaj mend se me Nanon në qeveri çdo ligj diskutohej deri në dakordësi dhe pranonte çdo lloj diskutimi, argumenti. Mbaj mend se ai nuk ndërhynte kurrë tek ministrat në punën e tyre. Ai ishte liberal, reformator dhe modern. Unë gjykoj se ka pasur gjëra pozitive dhe ka qenë shumë reformator. Ishte liberal, udhëhiqej nga dashuria për njerëzit dhe jo hakmarrja. Nano i duhej vendit në atë kohë. Kishte edhe debate, edhe unë kam bërë fjalë me të, por ai nuk ishte hakmarrës, i pranonte argumentet dhe diskutimet. Në atë kohë kishte ministra realë dhe jo sot, siç kemi Diellën. Kishte qeveri shumë më të aftë dhe aktive”, vijoi ai.
Por kreu i PAA nënvizoi se Nano kishte edhe disa defekte, sikurse edhe ai vetë, e një prej tyre që kishin të përbashkët ishte pirja e duhanit. Por ishte njeri i ditur, sa lexonte deri në 3 të mëngjesit.
“Kishte disa defekte, ai pinte shumë, edhe unë kam pirë shumë duhan si ai. Rrinte shumë gjatë në tavolinë, nuk kishte si ai që të rrinte në tavolinë, por nuk linte kurrë puna pas dore. Shkonte pas 12 të natës në shtëpi dhe lexonte deri në 3 apo 4 të mëngjesit. Ai ishte njeri shumë i ditur dhe dukej. Në atë moshë që iku me zotërim të tre gjuhëve në mënyrë të shkëlqyer, pa përfshirë të tjerat. Kishte elokuencë të jashtëzakonshme protokollare”, tha Duka.
