Mon, Nov 3, 2025

Drita fiton ndaj Llapit, Malisheva merr tri pikë në Klinë

  • PublishedNovember 2, 2025

Xhiroja e 12-të e AlbiMall Superligës së Kosovës është përmbyllur të dielën me tri ndeshje mjaft interesante, ku fitore të rëndësishme kanë shënuar Drita dhe Malisheva, ndërsa Prishtina e Re dhe Drenica ndanë pikët në një barazim pa gola.

Kampionia në fuqi Drita ka shënuar fitore minimale ndaj Llapit, me rezultat 1:0.

Golin e vetëm të ndeshjes e realizoi Besnik Krasniqi nga penalltia në minutën e 33-të, duke i siguruar gjilanasve tri pikë të rëndësishme në garën për kreun e tabelës.

Pas kësaj xhiroje, Drita renditet në vendin e tretë me 20 pikë, tri më pak se Ballkani dhe gjashtë më pak se liderja Prishtina, ndërsa Llapi mbetet në pozitën e pestë me 16 pikë.

Malisheva ka arritur një fitore të vlefshme si mysafire ndaj Dukagjinit, me rezultat 2:1, në stadiumin “18 Qershori” në Klinë. Heroi i këtij takimi ishte Etnik Brruti, i cili shënoi të dy golat për Malishevën, në minutat 21 dhe 68, duke i siguruar skuadrës tri pikë të mëdha. Për vendasit, golin e vetëm e realizoi Altin Merlaku në minutën e 35-të. Në minutën e 76-të, Malisheva mbeti me një futbollist më pak pas përjashtimit të Donart Vitijës, por ia doli ta ruajë epërsinë deri në fund. Pas kësaj fitoreje, Malisheva ngjitet në vendin e gjashtë me 16 pikë, vetëm një më pak se Dukagjini që renditet i katërti.

Në ndeshjen tjetër, Prishtina e Re ka arritur të marrë një pikë të vlefshme në përballjen me Drenicën, pas barazimit 0:0 në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan. Për skuadrën kryeqytetase, ky ishte barazimi i parë pas tri humbjeve radhazi dhe një ndeshje që mund t’i shërbejë për të rimarrë vetëbesimin në luftën për mbijetesë.

Pas këtij barazimi, Prishtina e Re mbetet në vendin e fundit me 8 pikë, ndërsa Drenica pozicionohet e shtata me 15 pikë.