Sun, Nov 2, 2025

Ermal Mamaqi: Njerëzit që janë të varfër, e meritojnë të jenë të varfër

  • PublishedNovember 2, 2025

Aktori, producenti dhe sipërmarrësi i njohur Ermal Mamaqi ka qenë i ftuar në emisionin “Live From Tirana”, ku ka zhvilluar një bisedë me moderatorin Ronaldo Sharka, duke folur për biznesin, karrierën dhe filozofinë e tij të jetës. Si gjithmonë, Mamaqi nuk i ka kursyer fjalët dhe ka folur hapur për mënyrën se si ai e sheh suksesin dhe dështimin personal.

Në një moment të intervistës, Sharka e pyeti drejtpërdrejt:

“Nëse dikush është në të 40-at e tij dhe është ende i varfër, a e meriton që të jetë i varfër?”

Pa u menduar gjatë, Ermal Mamaqi dha një përgjigje që ndezi diskutime:

“Unë di këtë gjë, nuk ka rëndësi nëse je në të 40-at apo të 60-at, nuk ka rëndësi. Unë besoj që ke kohë gjithmonë dhe nëse e meriton apo jo të jesh ashtu siç je, besimi im është që po, e meriton. Ne meritojmë shokët që kemi, ne meritojmë qeverinë që kemi, punën që kemi.”

Ai shtoi se gjithçka që ndodh në jetën tonë është pasojë e asaj që ne tolerojmë apo pranojmë:

“Ne marrim atë që tolerojmë. Ti e toleron shefin të sillet keq, ajo që merr është kjo. Ti toleron gruan ose burrin që të sillet ashtu, ajo që do marrësh është kjo. Ti toleron veten tënde të hash një tortë, ajo që do marrësh është kalori. Kështu që po, secili e meriton dhe është aty ku është, si pasojë e asaj që ka toleruar.”

Deklarata e Mamaqit është bërë menjëherë virale në rrjete sociale, duke nxitur debat të gjerë mes ndjekësve: disa e kanë vlerësuar për sinqeritetin dhe mënyrën e drejtpërdrejtë të të menduarit, ndërsa të tjerë e kanë konsideruar të ashpër ndaj realitetit që përballin shumë njerëz.