FOTO/ Trafik i rënduar në akset që lidhin Juglindjen me Tiranën, radhë kilometrike në Librazhd–Elbasan–Tuneli i Kërrabës
Që në orët e para të pasdites së kësaj të diele, trafiku në aksin e rrugës kombëtare që lidh rajonin e Shqipërisë Juglindore me kryeqytetin është rënduar ndjeshëm për shkak të fluksit të jashtëzakonshëm të automjeteve në qarkullim.
Kthimi nga pushimet e fundjavës i qindra familjeve nga Tirana, që kaluan dy ditë në Korçë, Pogradec dhe zonat e tjera turistike të Juglindjes, ka sjellë ngarkesë të madhe në qarkullim duke e bërë lëvizjen tejet të vështirë.
Segmentet më problematike janë raportuar nga “Kthesat e Murrashit” në Librazhd drejt Elbasanit dhe më tej nga rrethrrotullimi i Bradasheshit në drejtim të Tunelit të Krrabës, ku radhët e automjeteve kanë qenë kilometrike deri në orët e vona të mbrëmjes.
Për të përballuar situatën, Policia Rrugore ka qenë në terren me forca të shtuara përgjatë gjithë aksit Librazhd–Elbasan–Tuneli i Krrabës, me qëllim menaxhimin e trafikut dhe shmangien e bllokimeve të plota.

