Po festonin “Ditën e të Vdekurve”, ekzekutohet në mes të qytetit kryebashkiaku meksikan
Kryetari i bashkisë së qytetit të Uruapan, Carlos Manzo, u vra të shtunën gjatë një sulmi të dhunshëm që ndodhi gjatë festimeve tradicionale të Ditës së të Vdekurve në qytet.
Sipas autoriteteve meksikane, një grup i armatosur hapi zjarr ndaj Manzos në mes të një aktiviteti në sheshin kryesor të qytetit.
“Dy persona të përfshirë në sulm janë arrestuar nga autoritetet lokale dhe një tjetër është vrarë,” njoftoi Sekretaria e Sigurisë dhe Mbrojtjes Qytetare e Meksikës.
Shteti i Michoacán-it, ku ndodhet Uruapan-i, prej vitesh është skenë e përplasjeve të dhunshme mes karteleve të drogës që veprojnë në rajon.
Në rrjetet sociale qarkullojnë disa video që tregojnë momentin e sulmit, i cili ndodhi mbrëmjen e së shtunës, ndërsa qindra njerëz të pranishëm në festë u panë duke vrapuar për t’u larguar nga të shtënat.
Guvernatori i shtetit, Alfredo Ramírez Bedolla, dënoi ashpër ngjarjen duke deklaruar:
“Dënojmë me forcë atentatin e ulët në të cilin humbi jetën kryetari i bashkisë së Uruapan-it, Carlos Manzo. Dy persona janë arrestuar dhe një tjetër është neutralizuar. Të gjitha institucionet e sigurisë po punojnë për hetimin e menjëhershëm të ngjarjes.”
Sipas agjencisë së lajmeve AFP, Manzo ishte zgjedhur kryetar bashkie në shtator të vitit 2024 dhe një nga prioritetet e tij kryesore kishte qenë denoncimi i mungesës së sigurisë që kishte përfshirë disa zona të qytetit.
Në një video të publikuar në muajin qershor, Manzo shihej duke patrulluar së bashku me autoritetet lokale në disa zona të Uruapan-it, ku i bënte thirrje qeverisë federale të ndërmerrte më shumë veprime për të ulur dhunën që prekte jo vetëm komunën e tij, por edhe gjithë shtetin e Michoacán-it.
Vetëm pak ditë më parë, lideri i fermerëve të Michoacán-it, Bernardo Bravo, u vra me armë zjarri. Edhe ai kishte denoncuar valën e dhunës që kishte frikësuar komunitetin bujqësor të rajonit.
Këto dy vrasje janë pjesë e një serie të gjatë atentatesh ndaj politikanëve dhe liderëve socialë në Meksikë, të cilët kanë rënë pre e dhunës së lidhur me trafikun e drogës.
Në këtë valë krimesh përfshihen gjithashtu edhe vrasjet e kryetarit të bashkisë së Pisaflores-it, Miguel Bahena, në shtetin qendror të Hidalgo-s, si dhe të dy drejtuesve të tjerë lokalë në jug të vendit, të cilët u ekzekutuan në mesin e këtij viti.
