Mon, Nov 3, 2025

Berati, bashkia e dominuar nga socialistët që nga viti 2000

  • PublishedNovember 3, 2025

Hera e fundit kur qyteti i Beratit ka zgjedhur një kryebashkiak demokrat ka qenë viti i largët 1996, ndërsa që nga ajo kohë e më pas, socialistët katë pasur epërsi si në zgjedhje vendore ashtu edhe në zgjedhje kombëtare në këtë bashki, me avantazh që ka ardhur drejt thellimit.

Bashkia e Beratit u qeveris për 12 vjet nga Fadil Nasufi [2003-2015], i cili e kishte nisur karrierën politike në Partinë e Punës si kryetar i Bashkimit Rinor të kësaj partie në vitet e fundit të komunizmit. Nasufi është aktualisht deputet për socialistët.

Bashkimi i ish-komunave Otllak, Rroshnik, Sinjë dhe Velabisht me bashkinë e madhe në reformën e vitit 2015 duket se e përforcoi pozicionin e socialistëve. Në fakt, në ato zgjedhje, kandidati i opozitës, Kasëm Mahmutaj, ofroi një garë të fortë, ku në qytetin e Beratit humbi me një rezultat shumë të ngushtë votash përballë kandidatit të LSI Petrit Sinaj, i cili garonte brenda aleancës PS-LSI. Sinaj u zgjodh me 54% të votave pasi fitoi në shumicë dërrmuese zonat rurale.

Demokratët nuk i janë afruar shumicës në territorin e bashkisë së sotme Berat as në vitet 2007 e 2011, kur kontrolli i tyre mbi qeverinë qendrore i favorizonte, veçanërisht në zonat rurale. Në zgjedhjet e vitit 2007, kandidatët e së djathtës në bashkinë dhe ish-komunat e Beratit morën 43% të votave përballë 47% të kandidatëve të socialistëve ndërsa në 2011, votat u ndanë 47 me 50% me 3% të marra nga kandidatë jashtë dy partive kryesore.

Berati është një zonë ku popullsia është në rënie të vazhdueshme për shkak të migrimit të brendshëm dhe të emigrimit. Në censin e vitit 2023, bashkia numëroi 62 mijë banorë rezidentë ndërsa numëron 100 mijë shtetas sipas regjistrit civil.

Rënia e vazhdueshme e popullsisë vërehet edhe në pjesëmarrjen në zgjedhje. Në vitin 2015, në këtë bashki votuan 35 mijë qytetarë, ndërsa në zgjedhjet për pushtetin vendor 2023, votuan vetëm 28 mijë vetë. Në zgjedhjet parlamentare 2025, votuesit rezidentë ishin 29 mijë. Rrjedhimisht, votat për kandidatët e majtë kanë rënë nga 19 mijë më 2015 në pak më shumë se 15 mijë më 2025, por në të njëjtën kohë, votat për të djathtën kanë rënë edhe më shumë.

Bashkia e Beratit shkon drejt zgjedhjeve të pjesshme të 9 nëntorit pas dorëheqjes së dhënë nga ish-kryebashkiaku Ervin Demo, sot deputet dhe ministër shteti për Pushtetin Vendor.

Kandidatët për zgjedhjet e së dielës janë Ervin Ceca nga Partia Socialiste dhe Pavllo Shkarpa, i pavarur por i mbështetur nga opozita kryesore.