Mon, Nov 3, 2025

Berisha: Rama do të heq dhuntinë e Zotit me ligjin për barazinë gjinore, goditen vlerat e familjes, i mbështetur nga Sorosi!

  • PublishedNovember 3, 2025

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, foli edhe për nismën ligjore të partisë Socialiste për barazinë gjinore, duke denoncuar mazhorancën se po kërkon të minojë vlerat themelore të familjes.

Ai akuzoi direkt kryeministrin Edi Rama dhe Xhorxh Sorosin se qëndrojnë pas këtij ligji antimoral që kërkon të shkatërrojë familjen, duke thënë se ata duan që “të heqin dhuntinë e Zotit”.

“Ligji për barazinë gjinore që kanë propozuar këta kërkon që të mohojë liritë njerëzore. Ligji në të cilën e majta ekstremiste marksiste amerikane u angazhua në mënyrën më të papërmbajtur, deri te Marksi, madje as Marksi që ishte doktrinal, nuk ka shkuar deri aty. Kurse Sorosi me të vetët bëjnë përpjekje titanike për të krijuar gjininë e tretë apo të katërt. Duan të shuajnë burrin dhe gruan. Tani ligjin e çon në parlament, ligjin për barazinë gjinore”, tha Berisha në fjalën e tij para Kryesisë së PD-së.

Më tej ai denoncoi se po kërkohet të zëvendësohet familja dhe gjinia dhe se PD nuk duhet ta lejonte këtë dhe duhet të luftonte fortë për ta rrëzuar.

“Gjinia thotë Edi Rama, nënkupton rolet e ndërthurura në kontekstin social, sjelljet dhe aktivitetet në aspektin civil, për gratë dhe burrat. E hoqi dhuntinë e Zotit dhe aspektin natyror dhe e ktheu. Nuk ka, kjo përpjekje për të shuar konceptin e familjes shqiptare, prindi, nëna, baba fëmija, do të thotë se si Marksi i dikurshëm në Shqipëri është Xhorxh Soros. Unë ju them se nuk duhet ta nënvlerësojmë se ai ka mbështetës të fuqishëm, që punojnë ditën dhe natën kundër opozitës., E shpallën opozitën joperëndimore se mbron vlerat themelore, si këto të familjes. Ky është ligj i narkoshtetin”, tha Berisha.