Mon, Nov 3, 2025

Reperi austriak Raf Camora i jep fund beqarisë, i propozon Nadine Krenës për martesë!

  • PublishedNovember 3, 2025

Reperi i njohur austriak, Raf Camora, ka bërë një hap të madh në jetën e tij private duke i propozuar për martesë të dashurës së tij, Nadine Krena. Lajmi është bërë publik nga vetë artisti përmes një postimi në rrjetet sociale, i cili ka emocionuar fansat e tij anembanë Europës.

Në fotot e publikuara, Camora shfaqet i gjunjëzuar para të dashurës së tij, në një atmosferë tepër romantike, të mbushur me lule të bardha dhe me një avion në sfond, duke krijuar një skenë që të kujton një film dashurie. Gjithçka ishte menduar në detaj, nga dekorimi deri te momenti i propozimit, që duket se ka qenë i përgatitur me shumë kujdes.

Postimin e tij reperi e shoqëroi me mbishkrimin “Të shoh natën në të ardhmen time”- një frazë e marrë nga kënga e tij e njohur “All Night”, duke i dhënë një kuptim të veçantë momentit dhe lidhjes së tyre.

Marrëdhënia mes Raf Camorës dhe Nadine Krenës është mbajtur për një kohë të gjatë larg vëmendjes mediatike. Vetëm gjatë verës së kaluar u bë e ditur se ata janë bashkë, por çifti ka zgjedhur të ruajë privatësinë, duke mos ndarë pothuajse asgjë nga jeta e tyre personale.

Kush është Raf Camora?

I lindur në Vjenë, Raf Camora është një nga emrat më të suksesshëm të skenës së repit gjerman. Me mbi 20 vite karrierë, ai ka sjellë një sërë hitesh që kanë thyer rekorde dëgjueshmërie.

Artisti ka bashkëpunuar me disa nga emrat më të njohur të muzikës shqiptare, përfshirë Noizyn me “Toto” dhe “Welcome to mi casa”, si dhe Dhurata Dorën me këngën “Palma”. Gjithashtu, ai është i njohur për bashkëpunimet e suksesshme me Azet, si “Die Zona”, “Qa Bone”, “Zemër” dhe “Meiner Welt”.