Mon, Nov 3, 2025

SHBA-të planifikojnë të dërgojnë trupa në Meksikë! Trump përgatit operacion kundër karteleve të drogës me pjesëmarrjen e CIA-s

  • PublishedNovember 3, 2025

Qeveria e Donald Trump po planifikon të dërgojë në Meksikë forca amerikane ushtarake dhe zyrtarë të CIA për të luftuar kartelët e drogës, një operacion që, nëse miratohet, do të përbënte një ndarje të fortë nga politika e të gjitha qeverive amerikane më përpara.

Sipas rrjetit amerikan NBC News, qeveria Trump ka nisur tashmë plane të hollësishme për një mision të ri që përfshinë dërgimin e ushtarëve dhe agjentëve të inteligjencës në Meksikë me synim kartelët e drogës, sipas dy zyrtarëve aktivë dhe dy ish-zyrtarëve amerikanë që njohin këtë plan

Faza e parë e trajnimit për këtë mision të mundshëm, që mund të përfshijë operacione tokësore brenda Meksikës, ka nisur, thanë dy zyrtarët aktivë. Megjithatë, ata shtuan se për momentin nuk pritet një dërgim i menjëhershëm. Diskutimet për shkallën e misionit vazhdojnë dhe ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.

Sipas planit, forcat amerikane, shumë prej të cilave do të jenë nga Joint Special Operations Command (JSOC), do të operojnë nën autoritetin e komunitetit amerikan të inteligjencës (neni “Title 50” i Kodit Federal të SHBA-së), dhe në këtë mision pritet të përfshihen edhe zyrtarë të CIA-s.

Një mision amerikan që shtrihet brenda territorit të Meksikës kundër kartelëve do të hapte një front krejt të ri në fushatën e Trump-it për të luftuar trafikimin e drogës në Hemisferën Perëndimore, shpjegon NBC. Deri tani, administrata amerikane është fokusuar te përballja me situatën në Venezuelë dhe goditje ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge.

Nëse ky plan miratohet, qeveria amerikane synon ta mbajë në fshehtësi dhe të mos publikojë veprimet që do të lidhen me të — siç ka bërë edhe në rastet e bombardimeve të fundit të anijeve që dyshoheshin për trafik droge.

Nga ana tjetër, presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka bërë të qartë se Meksika refuzon çdo formë ndërhyrjeje ushtarake nga jashtë dhe insiston në mbrojtjen e sovranitetit të saj.