Sizifi i dorëheqjes
GENC POLLO
1-TRIBULACIONET E LALIT
Seanca e 31 tetorit në Gjykatën Kushtetuese midis kryebashkiakut të Tiranës ende në ofiq dhe avokatëve të Kryeministrit e të Presidentit ishte interesante: debati u fokusua mbi përputhjen e kundërthënien e përcaktimeve në Kushtetutë e në ligjin për pushtetin vendor mbi shkarkimin nga detyra të kryetarit të bashkisë e zbatimin tyre në këtë rast. Po ashtu për të vërejtur zhgënjimin e Veliajt me të vetët dhe keqfunksionimin e Këshillit Bashkiak Tiranë. Por këto argumente më duket që nuk kanë të bëjnë me thelbin e çështjes që është nëse lipset të vazhdojë në ofiq Erion Veliaj apo lipset të zëvendësohet nga dikush tjetër përmes komandimit apo zgjedhjeve. I gjithë ky debat do të ishte evituar paqë sikur Veliaj të kishte dhënë me kohë dorëheqjen, e cila do të ishte gjëja më normale në një demokraci funksionale europiane. Po as ndërgjegjja personale e Veliajt dhe as sensi politiko-moral i partisë, kolegëve dhe eprorit të tij nuk është afër këtij normaliteti.
Në maj të këtij viti, tre muaj mbas arrestimit të Erion Veliajt, këshilltarët demokratë paraqitën një mocion shkarkimi me shkak formal mungesën tremujore, por me motivin thelbësor se afera e ryshfetit afro 1 milion euro të marrë nga e shoqja e kryebashkiakut, e paraqitur në detaj nga hetimi i SPAK-ut dhe e bërë objekt permanent i debatit publik, rrënonte aq shumë besimin e publikut saqë e bënte të pamundur mbajtjen e mëtejshme të ofiqit nga Veliaj. Për më tepër që ishte në vijim të skandaleve të inceneratorit e të ‘5D’-së. Motivi i këshilltarëve demokratë ishte politiko-moral, më saktë politik i bazuar në moral, si dhe i arsyeshëm në ato rrethana. Kryebashkiaku ishte kapur me presh në duar e nuk ishte justifikuar fare kundrejt themelit të akuzës. Edhe versioni dashamirës se ryshfetin e kishte lypur dhe e kishte marrë e shoqja prapa shpinës së burrit (edhe kaq do të mjaftonte për humbjen e besimit) rrëzohej sepse Veliaj nuk i kishte dënuar veprat penale që përmbante aktakuza dhe autorët e tyre. Përkundrazi, në gjyq ai e quajti bashkëshorten e tij të bashkëpandehur “kryezonjë”.
Mocioni i këshilltarëve demokratë me t’u dorëzuar, u arkivua dhe nuk mundi të debatohej as në komisione e as në Këshill (Ky ishte rasti i mbramë i shkeljes së rregullave në dëm të të drejtave të opozitës. Në Këshillin Bashkiak Tiranë kjo gjendje ishte krahasimisht më e rëndë se në Kuvendin e Republikës. Veliaj ankohej me të drejtë për keqtrajtimin nga kolegët socialistë në bashki, por kujtesa e tij nuk shkon më herët se mbledhja e fundit e Këshillit).
Në shtator të këtij viti këshilltarët socialistë, në zbatim të porosisë publike të kryetarit/Kryeministrit paraqitën një mocion utilitar për shkarkimin e Veliajt. Motivacioni i tyre ishte thjesht nevoja administrative për të pasur fizikisht “kryetarin në zyrë” dhe nuk lidhej fare me akuzën e SPAK-ut dhe implikimet politiko-morale të saj. Kjo e fundit, për ta, zerohej nga një interpretim maksimalist dhe fort i leverdishëm i prezumimit të pafajësisë: sipas tij, edhe pse ka prova bindëse për krimin e ofiqarit, madje edhe krim në flagrancë, ai/ajo mund të qëndrojë në ofiq deri në vendimin gjyqësor të formës së prerë.
Mocionin socialist të shtatorit e votuan edhe këshilltarët e opozitës (edhe në këtë rast porosia publike erdhi nga partia qendrore) me gjithë natyrën joparimore e problematike të tij. Mbase nga ndrojtja se mos dukeshin si tepër pro Veliaj meqë ishin shprehur me të drejtë për respektimin e garancive procedurale për të.
Nëse imagjinojmë një çast se socialistët në Këshill e në Qeveri do të aprovonin mocionin demokrat të majit, debati në Gjykatën Kushtetuese do të ishte më pak mbi procedurën e më shumë për thelbin e çështjes. E kështu më interesant për teleshikuesit.
2-DHE DILEMA BELA
Në prill 2024 Kryeministri Rama i bëri thirrje homologut spanjoll Pedro Sanchez të mos tutej nga kritikat e shpifjet dhe si udhëheqës i mençur e i ndershëm i “lëvizjes sonë socialiste” të vazhdonte të qëndronte në krye të qeverisë spanjolle. Publiku shqiptar që nuk njihte kontekstin mund të jetë habitur me këtë deklaratë. Por Sanchez i përballur me kritika e fajësime për korrupsion, që implikonin edhe të vëllain e të shoqen luajti një rreng klasik: ai deklaroi se do të izolohej pesë ditë si murg e të reflektonte se “çfarë vendimi madhor do të marr për jetën time”. Kuptohet shokë e miq i thanë qëndro; dhe ai vetë mbas murgjërisë së shkurtër tha se urtësia e këshilloi të mos jepte dorëheqjen.
Kush sheh analogji midis situatave personale të kryeministrave mbetet në të drejtën e tij; por gjithsesi duhet të marrë parasysh se sot, mbas një viti e gjysmë, e shoqja dhe i vëllai i Sanchezit po përballen në gjyq me akuza të ndryshme për korrupsion, abuzim, trafik influence e keqbërje të tjera. Gjithsesi analogjia mbaron këtu. Sepse Sanchez, kur ministri i Infrastrukturës Abalos po në 2024 u mor i pandehur për vepra penale me tendera, e përjashtoi atë menjëherë nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste Punëtore Spanjolle dhe në vijim edhe nga partia (nga posti i ministrit e kishte hequr më herët). Opozita e djathtë pretendoi se e bëri për të shpëtuar imazhin e postin e vet; socialistët në pushtet e quajtën vendim parimor. Por pavarësisht nga motivet e pretenduara, e gjithë Spanja ra dakord që ajo ishte lëvizja e duhur.
Në këtë pikë, Kryeministri ynë nuk ngjason më me z. Sanchez. Mbasi u mor vesh se znj. Balluku, ministre e Infrastrukturës, ishte marrë e pandehur për tenderin e tunelit të Llogarasë, ai iu përgjigj një gazetari se “ne kemi punën tonë, drejtësia ka punën e vet dhe deri kur çështje të caktuara marrin formën e tyre të prerë, të gjithë njerëzit janë të pafajshëm…”. Me të njëjtën lehtësi sikur të thoshte ne kemi punën tonë e Mongolia ka punën e saj.
Ka lexues që, si dhe plot komentues në rrjetet sociale, mund të më thonë po në kohën tuaj kush jepte dorëheqje. Edhe sikur gjatë qeverisë së PD të mos jetë vepruar mirë, nuk është argument që të veprohet keq apo edhe më keq 15 vjet më vonë. Por meqë flasim për atë kohë unë kujtoj tri raste: një ministër që dha dorëheqjen mbas pretendimeve se i vëllai kishte ndërhyrë kundraligjshëm në ca tendera, një tjetër ministër para Gjykatës së Lartë po për tender rruge madhore, mbasi partia e vet ia hoqi imunitetin e si përfundim nuk u gjet fajtor si dhe një drejtor i përgjithshëm që u akuzua për një ngjarje të vitit 1995 ,por u shpall i pafajshëm në të tëra nivelet. Shpresoj të mos jem harraq e subjektiv por këto dosje penale ishin komplekse dhe nuk dëshmonin qartazi për fajësinë e të pandehurve.
A mund të thuhet kjo për dosjen “Llogaraja”? Tenderi u fitua fillimisht nga një kompani shqiptare për 140 milionë euro, u anulua befasisht e pa shpjegim e pastaj me procedurë të dyshimtë ju dha dy kompanive turke për 172 milionë euro; ato dy kompani ia dhanë punën po asaj kompanie shqiptare për 140 milionë euro (!) dhe diferencën prej 32 milionë e raportuan në tatime si 1 milionë shpenzime administrative dhe 31 milionë fitim (!!!). Hetimi dhe dëshmitarët treguan se Balluku (dhe Rama) kishin fluturuar në Turqi për të takuar këto dy kompani para se të hapnin tenderin e dytë +32 milionë. Postime në “Facebook” të takimit u fshinë misteriozisht mbasi ky takim u rrëfye nga ish-superministri i qeverisë Rama, z. Ahmetaj, por ato u rikuperuan nga hetuesit përmes asistencës amerikane si dhe u gjenden SMS të drejtorëve të ministrisë, të cilat fundosin titullarin e saj.
Është interesant të shihet llogaridhënia qeveritare për këtë rast. Në nëntor 2024, në mbledhjen e Komisionit për Ekonominë e Financat për projektbuxhetin 2025, një deputet demokrat i kërkoi ministres Balluku të shpjegonte pse Llogaraja ishte tenderuar për herë të dytë dhe shumë më shtrenjtë. Përgjigja e znj. Balluku ishte: 1) kjo është shpifje; 2) batutë me aludime seksuale dhe 3) kërcënim me kallëzim penal për deputetin.
Të tjera fakte mund të dalin kur të rrjedhë në media dosja e plotë e aktakuzës. Por, edhe pa to, pamja është e qartë. Ashtu si edhe rivali brendapartiak Veliaj, ministrja Balluku nuk ka një nivel ndërgjegjeje personale që e shtyn drejt dorëheqjes. Edhe partia e vet, siç e tha me figuracion absurd kryetari i saj, nuk ka punë dhe nuk don të ketë punë me gjyqësorin, me faktet e zbuluara prej tij, me drejtësinë, me përgjegjësinë dhe me vetë shoqërinë. Ajo don të rrijë në flluskën e vet të tenderave +32, të propagandës dhe të mbajtjes së pushtetit me çdo kusht. Deri sa t’a heqin me çdo kusht.
Autori, ish-ministër e deputet
/Gazeta Panorama
