Alqi Bllako dënohet për aferën e inceneratorit të Tiranës dhe fiton lirinë
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të martën më 4 nëntor deklarimin fajtor të ish-deputetit socialist, Alqi Bllako për korrupsion pasiv në dy raste në aferën incineratorit të Tiranës. Në bashkim të dy dënimeve nga tre vjet, u caktua masa përfundimtare me 4 vjet, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar prej nga përfitohet ulja e 1/3-ës së dënimit, u reduktua në 2 vjet e 8 muaj heqje lirie. Po ashtu, iu caktua dënimi alternative që i heq të drejtën të ushtrojë funksione publike për pesë vjet.
Ndërkohë, referuar fillimit të masës së sigurimit “Arrest në burg” për këtë çështje, më 9 dhjetor të vitit 2023, gjykata ka konstatuar shuarjen e kësaj mase me argumentin se kohëzgjatja e paraburgimit është më e madhe se masa e dënimit të dhënë. Për këtë arsye, gjykata ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Alqi Bllakos, nëse nuk mbahet për ndonjë tjetër shkak të ligjshëm,
Vendimi u mor nga trupi gjykues i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, i përbërë nga gjyqtaret Rudina Palloj, Etleva Deda dhe Atalanta Zeqiraj, që kanë ngarkuar SPAK për zbatimin e vendimarrjes.
Po të martën, prokurori i Prokurorisë së Posaçme, SPAK, Dritan Prençi kërkoi dënimin e Bllakos me 5 vjet burg, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar mbetej 3 vjet e 4 muaj heqje lirie. Bllako nga ana e tij ka kërkuar gjithmonë pafajësi.
Vendimi i të martës për dënimin e Bllakos me 2 vjet e 8 muaj për aferën e incineratorit të Tiranës është i njëjtë me atë të dhënë nga një tjetër trupë e kësaj gjykate më 11 mars. Vendimmarrja e parë u prish nga Apeli i Posaçëm që e ktheu çështjen për shqyrtim në Shkallën e Parë, por me tjetër trupë gjykuese.
Hetimet për Bllakon në këtë çështje lidhen me kontratën koncesionare të vitit 2017 për ndërtimin e landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e vend-depozitimeve ekzistuese në Tiranë, të lidhur mes Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.
Sipas Prokurorisë, Bllako akuzohet se ka përfituar në mënyrë të tërthortë shumën prej 119,715 eurosh nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pronarët de facto të shoqërisë koncesionare, për blerjen e një pajisjeje për aktivitetin tregtar të babait të tij në Ersekë.
Gjithashtu, Bllako i ka propozuar Vladimir Bezhanit të vazhdonte detyrën si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe të ndihmonte me konsulencë juridike gjatë kohës kur kishte lindur idea e projektit të zhvillimit të procedurës së dhënies së koncesionit. Për shërbimin e Bezhanit si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Bllako akuzohet se i ka kërkuar aksionerit të shoqërisë propozuese “Integrated Technology Services” sh.p.k, Klodian Zoto, njëkohësisht dhe aksioner i shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k, që të jepte përfitimin e parregullt, duke e punësuar fiktivisht prej nga ka siguruar një përfitim në vlerën 7. 5 milionë lekësh. Gjatë kohës që Bezhani ishte këshilltar i Kokës, ka mbajtur kontakte me Klodian Zoton sipas orientimit të Alqi Bllakos duke i siguruar të dhëna të marra nga autoriteti kontraktor.
Bllako u deklarua fajtor nga Gjykata e Posaçme e Apelit për shpërdorim detyre në aferën e inceneratorit të Elbasanit më 8 nëntor të vitit të kaluar dhe u dënua me 2 vjet e 8 muaj burgim. Me të njëjtën masë dënimi prej 2 vite e 8 muajsh ai u dënua dhe për çështjen e inceneratorit të Fierit në shtator të vitit 2023, por edhe në këtë rast Apeli e riktheu për gjykim.
Masa e sigurimit “Arrest në burg” ndaj Bllakos për inceneratorin e Tiranës është e fundit dhe sipas gjykatës ajo tashmë është shuar, çka e çon ish-deputetin socialist drejt lirisë.
Skandali i inceneratorëve filloi në vitin 2014 me një vendim të qeverisë ‘Rama’ për shpalljen e një emergjence mjedisore, që justifikoi dhënien e koncesionit të inceneratorit të Elbasanit. Më pas, të njëjtat kompani morën koncesione për inceneratorët e Fierit dhe Tiranës. Ish-Ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputeti Alqi Bllako janë gjetur fajtorë dhe në çështjet e inceneratorit të Fierit dhe atë të Elbasanit. Vendimi për inceneratorin e Elbasanit ka marrë formë të prerë, ndërsa çështja e Fierit u kthye për rigjykim nga Apeli i Posaçëm.
