Kur në PS debatohej para mediave- Përplasja mes Fatos Nanos dhe Bashkim Finos në KPD-në e 2001! Kryetari: Mos përdorni emrin tim! Të kam thënë largohu nga ‘Miri i Xhikes’, ai nuk është shok yt…
Ka qenë viti 2001 kur është mbledhur KPD-ja e famshme e Partisë Socialiste, (Komiteti i Përgjithshëm Drejtues i Partisë Socialiste). Kjo ka qenë një nga mbledhjet më të debatuara, e cila mund të konsiderohet edhe historike për shkak të akuzave dhe kundër akuzave mes dy kampeve në Partinë Socialiste.
Mbledhja e cila ka qenë publike për mediat, zgjati plot 3 ditë nga data 03 dhjetor deri me 5 dhjetor 2001.
Në KPD-në e famshme të dhjetorit 2001 dhanë dorëheqjen tre ministrat e qeverisë Meta, e më konkretisht: Ministri i Financave Anastas Angjeli, Ministri i Ekonomisë Publike dhe Privatizimit Mustafa Muçi; Ministri i Punëve Publike dhe Turizmit Bashkim Fino.
Debati ka qenë i ashpër mes Fatos Nanos dhe Bashkim Finos, ku ky i fundit e akuzoi kreun e PS për shpifje.
Ndërkohë Fatos Nano teksa vlerësoi kontributin e Finos, i bëri atij disa këshilla, që të qëndrojë larg ‘Mirit të Xhikës’, pasi ai nuk ishte shoku i tij.
Po ashtu Nano u kërkoi të gjithë të pranishmëve që të mos përdorin emrin e tij për interesat e tyre personale.
Pjese nga debati
Bashkim Fino: Dua ta mbyll këtë fjalë shumë të shkurtër, por shumë dashamirëse me një fjalë shumë të urtë. Zoti i fal të gjitha mëkatet, por kur je mosmirënjohës ai nuk të fal.
Fatos Nano: Miku im Baçi, meqë kam qenë gjithmonë i sinqertë, i drejtpërdrejtë dhe politikisht korrekt me ty. Po të përsëris që këshillat e mia politike dhe njerëzore e mia për ty të kanë ndihmuar. Është hera e parë që ti në publik ndahesh nga mua dhe nuk më vjen keq politikisht për këtë gjë, sepse më ke kuptuar me vështirësi politikisht edhe kur kemi qenë në qeveri. Me ke kuptuar siç të kam kuptuar jashtëzakonisht mirë kur ishim të dy kundër Berishës. Nuk mund të harroj që qeveria e pajtimit kombëtar që ti kryesove përkoi me administrimin korrekt të gjendjes pas rebelimit që shkaktoi Berisha dhe të rebelimit të burgut nga unë rifitova lirinë. Pra personalisht nuk i kemi borxhe njëri-tjetrit. Pra personalisht nuk i kemi borxhe njeri tjetrit, përkundrazi jam mirënjohës siç më je për mbështetjen reciproke njerëzore. Unë e kam bërë dallimin mes teje dhe shumë të tjerëve në raportet personale njerëzore, nuk jemi marrë me ndonjë biznes dhe të ftoj të jesh i kujdesshëm kur thua që ‘dollarët do ti përdoresh për biznes’ se je ministër dhe deputet. Ka ca rregulla sesi bëjnë biznes ministrat dhe deputetët. Ndërsa tani më detyron ti them shokëve që në cdo moment të marrëdhënieve të mia të ngushta njerëzore me Bashkim Finon, për shkak të detyrës dhe vëmendjes time politike e kam këshilluar të largohet nga disa mjedise dhe disa kontakte, që edhe në qeverinë që unë kryesoja e dëmtuan si imazh dhe unë ashtu si Ilir Meta, nuk e lëshova, por ika bashkë me të me Ben Malaj, Kaç Islamin dhe me gjithë qeverinë. Ky largim i yni, ty Bashkim, ty Arben dhe shumë shokë të tjerë i ndihmoi të dalin nga goditja e zjarrit, e zjarrit të opozitës dhe të opozitës brenda partisë në atë kohë. Pra ne ja kemi marrë dorën ndryshimit të qeverisë me kontribute të brendshme. Për shkak të rehabilitim të imazhit tënd të rreth një vit që qëndruam jashtë qeverisë, ti u riktheve natyrshëm në qeveri. Tani nuk është faji im, as i ndonjë opozite brenda partisë që ti je mjaft sensibël në opinionin politik në parti dhe në opinionin publik që na voton. Unë nuk të ndihmoj dot më, aq më pak sot e tutje, sepse të kam këshilluar drejtpërdrejt “largohu nga Miri i Xhikës, sepse Miri i Xhikës nuk është shoku yt’. Të kam këshilluar dhe po ta përsëris Prokurori i Përgjitshëm nuk është miku im, mbase është më shumë miku jot, kur para 4 muajsh ke kërkuar në 15 katsh lirimin e Arben Grorit. Unë kam kërkuar nga Prokurori i Përgjithshëm të më mbajë në koherent pse është bërë kjo kërkesë. Meqë ti je këtu, ashtu si unë kemi vendosur të rrojmë dhe vdesim në këtë vend, unë shpresoj të jem unë i gabuar. Po meqë ti politikën e kupton me vështirësi, ti je administrator më shumë dhe njeri i pastër në marrëdhënie direkt, mos u përdor politikisht sepse mund të të largohet cdo mburojë politike që të ka mbajtur sot aty ku je.
Bashkim Fino: Zoti Nano, faleminderit për kontributin që më dhatë për të më ndihmuar politikisht por unë po ju them që nuk janë të vërteta ato që thatë dhe është normale që të mos bëj debat, pas cdo diskutimi që flet ose kur është në mendime kundra me ju. Unë jam i hapur që të jem transparent në organet përkatëse, prokurori gjykatë. Se jam i zoti nga pikëpamja organizative dhe nuk jam i zoti politikisht, kjo nuk është faji im dhe nuk është faji juaj se ju jeni i zoti politikisht dhe nuk jeni i zoti administrativisht. Secili ka një të mirë dfhe të keqe. Të gjithë sic jemi të japim kontributin tonë për të ecur para PS. Nëse unë isha në qeverinë tuaj zv.kryeministër thjesht si administrator dhe jo si politikan, kam mësuar 5 gjera si politikan dhe ti ke mësuar 5 gjera si administrator. Kjo nuk do të thotë aspak që disa qe janë të ndarë dhe të prerë me thikë sic thoni ju mund të mos jenë pjesë përbërese e stafeve politike, ekzekutive në qeverisjen tonë. Po nuk të pëlqeu, unë i them hapur të gjitha.
Bashkim Fino: Po ti pse e bën replikën
Fatos Nano: Unë hoqa dorë nga replika e mëtejshme sepse unë e kam emrin Nano.
Bashkim Fino: Edhe unë e kam Fino
Fatos Nano: Nëse ti e ke Fino mbaj emrin tënd se emrin Nano kur e lakoni përgjigjet Nano, nëse mendoni se emrin Nano ta përvetësoni, të abuzoni, ta përdorni si licencë apo pasaportë në vende të favorshme harrojeni këtë gjë.
                        