Wed, Nov 5, 2025

Dafina Zeqiri mohon bashkëpunimin me Feron: Projekti final është solo

  • PublishedNovember 5, 2025

Ditën e djeshme, një fragment i shkurtër i një kënge të papublikuar që dukej se përfshinte dyshen e komentuar shpesh në media, Dafina Zeqirin dhe Fero, filloi të qarkullojë me shpejtësi në TikTok dhe rrjete të tjera sociale. Pamjet audio nisën menjëherë të ngjallnin reagime, debat dhe hamendësime se artistët mund të ishin duke përgatitur një bashkëpunim të ri.

Rrjeti u ndez duke rikthyer në vëmendje marrëdhënien e tensionuar, historinë e tyre të mëparshme dhe prapaskenat që kanë qenë shpesh subjekt thashethemesh në estradë. Mirëpo, sot gjatë ditës është bërë një sqarim zyrtar nga pala e Dafinës.

Menaxhmenti i artistes, përmes një deklarate të publikuar nga labeli “Moneyz Music” dhe të ndarë në InstaStory dhe nga vetë Dafina, ka mohuar se materiali që qarkullon është projekti final. Në komunikatë, thuhet se pjesa e shpërndarë është vetëm një demo, një ide e papërfunduar e cila nuk reflekton versionin zyrtar të këngës.

“Versioni me ‘feat’ nuk është pjesë e lançimit dhe nuk do të publikohet,” thuhet në njoftim.

Sipas tyre, materiali është shpërndarë pa autorizim, duke u konsideruar si “leak” nga pala tjetër, ndërsa kënga përfundimtare do të publikohet vetëm në versionin solo nga Dafina Zeqiri.

Ky reagim duket se ka mbyllur për momentin diskutimet mbi një rikthim artistik mes dyshes, duke nënvizuar edhe një herë faktin se raportet mes tyre nuk janë afër normalizimit.