Wed, Nov 5, 2025

Kush është Rama Duwaji, 28-vjeçarja që bëhet e para Zonjë e Parë e gjeneratës Z në historinë e New York-ut

  • PublishedNovember 5, 2025

Që nga e marta, 4 nëntor, Rama Duwaji, 28 vjeçe, është bërë e para Zonjë e Parë e gjeneratës Z në historinë e Nju Jorkut, pasi bashkëshorti i saj, Zohran Mamdani, u zgjodh kryebashkiak i qytetit më të populluar të Shteteve të Bashkuara.

Gjatë fushatës njëvjeçare të bashkëshortit të saj 34-vjeçar, Duwaji qëndroi larg dritës së reflektorëve, por luajti një rol vendimtar prapa skenës në organizimin e pranisë virale të Mamdanit në rrjetet sociale.

Sipas CNN, artistja dhe animatorja e re ishte forca shtytëse e fushatës së tij dhe vetë ajo krijoi logot dhe identitetin vizual të kandidatit fitues.

Rama Duwaji lindi në Hjuston të Teksasit nga prindër sirianë, i ati inxhinier kompjuterësh dhe e ëma mjeke. Ajo u rrit mes Teksasit dhe Dubait, ku familja u vendos kur ajo ishte vetëm 9 vjeçe. Që në fëmijëri tregoi pasion për artin dhe dizajnin, duke ndjekur për një vit Shkollën e Arteve të Universitetit Virginia Commonwealth në Doha, përpara se të transferohej në Universitetin e Richmond në Virxhinia për të përfunduar studimet.

Pas një periudhe të shkurtër në Dubai, u kthye në Nju Jork në vitin 2021 dhe përfundoi studimet pasuniversitare në ilustrim në Shkollën e Arteve Vizuale (School of Visual Arts, NYC) në vitin 2024.

Veprat e Duwajit fokusohen në kulturën arabe, drejtësinë sociale në Lindjen e Mesme dhe veçanërisht në të drejtat e grave. Që prej vitit 2023, ajo ka krijuar projekte që lidhen me gjenocidin në Gaza dhe luftën civile në Sudan.

Në një intervistë për podcast-in “Tavan Studio in Conversation” në vitin 2019, Duwaji deklaroi se, edhe pse e konsideronte të rëndësishme të ishte amerikane, më vonë kuptoi se “nuk ishte integruar plotësisht” dhe nisi të krijonte vepra që reflektonin “identitetin” e saj dhe “çfarë do të thotë të jesh siriane jashtë vendit”.

Postimet e saj në Instagram dhe puna artistike tregojnë se ajo dhe bashkëshorti i saj ndajnë të njëjtat bindje politike, përfshirë qëndrimet e tyre ndaj krizës humanitare në Gaza.

Në një intervistë të rrallë për Yung Media në prill të kaluar, Duwaji kritikoi presidentin Donald Trump, duke thënë: “Duke parë kaq shumë njerëz të dëbuar e të heshtur nga frika, e vetmja gjë që mund të bëj është të përdor zërin tim për të denoncuar gjithçka që po ndodh, si në SHBA, ashtu edhe në Palestinë dhe Siri.”

Zohran Mamdani, i njohur si “demokrat socialist”, dhe artistja u njohën përmes aplikacionit të takimeve Hinge në vitin 2021. Në tetorin e kaluar, çifti shpalli fejesën e tyre në Instagram, me një postim ku Mamdani e quante partneren e tij “Light of my life” (“Drita e jetës sime”).

Ata u martuan në shkurt të këtij viti në bashkinë e Manhattanit dhe më pas, në korrik, udhëtuan në Ugandë, vendlindjen e Mamdanit, ku zhvilluan edhe një ceremoni tjetër martesore, sipas The New York Times.

Zonja e Parë e re ka punuar më parë për revista prestigjioze si The New Yorker, The Washington Post dhe Vogue. Ajo ka bashkëpunuar gjithashtu me Apple, Spotify dhe me Galerinë e Artit Modern Tate në Londër.