Me sytë nga turistët, Berati i pret zgjedhjet e 9 nëntorit si formalitet
Në fillim të nëntorit, Berati duket se po jeton dy stinë njëherësh. Nën diellin e butë të vjeshtës, turistët e fundit vazhdojnë të enden në pedonalen që shtrihet në zemër të qytetit, ndërkohë që në shesh ka mbërritur tashmë pema e Vitit të Ri – e lartë, e dekoruar dhe gati për festë.
Sheshet dhe rrugët kryesore janë veshur me zbukurime që prej 1 nëntorit, ndërsa bashkia më e madhe e qarkut po shkon drejt zgjedhjeve të pjesshme vendore. Megjithatë, në bisedat e beratasve politika përmendet pak.
“Të dielën ka gjithmonë më shumë lëvizje në qytet, sidomos tani që vijnë vizitorët e fundit. E kemi mendjen te puna, jo te zgjedhjet,” thotë Valentina, e cila shet fruta së bashku me të shoqin në bulevardin përpara Qendrës së Kulturës “Margarita Tutulani”.
Edhe pse ka kaluar piku i sezonit, në rrugët e Beratit vazhdon të ketë lëvizje këtë fillim nëntori. Edhe pse më të paktë në numër, turistët e huaj janë ende të pranishëm, ndërsa baret, restorantet dhe bujtinat ishin të gjitha plot të dielën, një javë para zgjedhjeve.
“Përgjithësisht, në muajt e dimrit dominon turizmi vendas sidomos gjatë fundjavave. Mund të themi që qyteti është akoma i angazhuar me turizmin dhe fushata ndjehet më pak,” thotë Isuf Braho, guidë profesionale në qytet.
Në rrugët e qytetit nuk shihen postera fushate, as slogane politike. Zbukurimet e vendosura nga bashkia japin ndjesinë e përgatitjeve për festave të fundvitit. Për opozitën vendore, zbukurimet e vendosura që në fillim të nëntorit nuk janë shenjë e gjallërisë së qytetit, por pjesë e një strategjie imazhi nga ana e bashkisë.
“Qyteti zbukurohet para kohe për efekt fushate, për të krijuar përshtypjen se çdo gjë ecën mirë,” deklaroi dega e Partisë Demokratike në Berat për BIRN. “Në të vërtetë, varfëria dhe korrupsioni mbizotërojnë në çdo qelizë të administratës. Këto janë lugë bosh që propaganda e bashkisë u servir qytetarëve, taksapagues të saj,” shtoi PD.
Bashkia e Beratit e mohoi zyrtarisht se zbukurimet janë bërë për efekt fushate. Në një koment, bashkia tha se dekorimet janë ende në proces dhe se qëllimi është rritja e interesit turistik në prag të fundvitit.
“Zbukurimet janë ende në proces, sepse dekorimi nuk ka përfunduar. Të vetmet që janë hapur një javë më herët se vitin e kaluar janë shtëpizat në qendër të qytetit dhe qëllimi është tërheqja e sa më shumë vizitorëve, për shkak se është fundi i sezonit,” u përgjigj Bashkia.
Garë pa ethe

Berati është një bastion i së majtës, e cila e drejton bashkinë që nga viti 2000. Baza elektorale e Partisë Socialiste duket se është zgjeruar edhe më tej me reformën territoriale të vitit 2015, kur bashkisë iu bashkuan edhe katër njësi administrative.
Gjithsesi, popullsia e Beratit po tkurret dhe kjo reflektohet nga shifrat e pjesmarrjes në zgjedhje. Nga mbi 35 mijë votues në zgjedhjet e vitit 2015, numri i tyre u ul në 28 mijë në zgjedhjet vendore të vitit 2023.
Bashkia e Beratit po shkon drejt zgjedhjeve për shkak të dorëheqjes së Ervin Demos, sot ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor. Për vendin e lënë bosh prej tij garojnë kryetari i komanduar i Bashkisë, Ervin Ceca dhe Pavllo Shkarpa, drejtues i shoqatës kulturore “Antipatrea”.
Në terren, fushata është e qetë, pa mitingje të mëdha e pa entuziazëm. Të dy kandidatët vijojnë takimet e tyre, duke i ndarë mes zonave urbane të qytetit dhe njësive administrative.
Kandidati i Partisë Socialiste, Ervin Ceca, ekonomist në profesion, e sheh garën si vazhdim të angazhimit të tij në pushtetin vendor, ku ka shërbyer si kryetar i Këshillit Bashkiak prej vitit 2019.
Ceca thotë se po kandidon me besimin e kryesisë së PS dhe drejtuesit politik të qarkut, ndërsa deklaron si prioritet vazhdimësinë. Ai shtoi gjithashtu se pavarësisht fushatës së shkurtër, ai ka zhvilluar takime të ngjeshura me fokus kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarët.
“Jemi përpjekur të ecim me një agjendë të ngjeshur, për të prekur çdo njësi administrative dhe çdo lagje të qytetit,” tha Ceca. “Takimet kanë qenë pozitive, pasi vazhdimisht kam marrë vlerësime për punën e mirë të bërë nga paraardhësi im. Çdo qytetar është dëgjuar me përgjegjësinë maksimale, janë mirëkuptuar në shqetësimet e tyre dhe mendoj që qytetarët e vlerësojnë kur janë të dëgjuar,” shtoi ai.
Rivali i tij, Pavllo Shkarpa i tha BIRN se po garon nga dashuria për qytetin. Në rrjetet sociale, Shkarpa shprehet se “partia ime është Berati”, duke u përpjekur të flasë më shumë për problemet e përditshme, sesa për ndarjet politike.
Ndërsa kandidon si i pavarur, por mbështetet nga opozita, Shkarpa e e përshkruan fushatën si mjaft produktive, por si të vështirë dhe me pengesa që lidhen me klimën politike në qytet.
“Më presin kudo që shkoj me shumë dashuri, por edhe me frikë,” tha ai. “Sepse ne sot jetojmë në një diktaturë brenda demokracisë,” shtoi, duke iu referuar presionit ndaj administratës vendore.
Programi i Pavllo Shkarpës bazohet në disa shtylla të thjeshta, që sipas tij lidhen drejtpërdrejt me jetën e përditshme të qytetit.
“Katër shtyllat janë: turizmi, zejtaria, arsimi dhe frutikultura,” tha ai, duke shtuar se “sporti është pjesë e rëndësishme e këtij vizioni”.
Por përtej retorikës së kandidatëve, qyteti duket indiferent në fillim të nëntorit. E vetmja shenjë që të kujtonte zgjedhjet e afërta ishte vendosja e listave të zgjedhësve pranë Pallatit të Kulturës “Margarita Tutulani”.
Ndërkohë, të rinjtë në qytet e shohin të ardhmen ngushtësisht të lidhur me turizmin, dhe jo me politikën.
“Turizmi të jep mundësinë të jesh i lirë dhe të japësh më të mirën nga vetja,” përfundoi Braho.

