Wed, Nov 5, 2025

Shpat Deda rrëfen periudhën e errët: Depresioni më shoqëroi për një kohë, por çdo gjë kalon

  • PublishedNovember 5, 2025

Në një intervistë në emisionin “Ftesë në 5” me Bieta Sulon, kantautori i njohur Shpat Deda ka ndarë detaje të reja rreth projektit të tij më të fundit muzikor, albumit të titulluar “Hajde n’ballon”. Artisti shpjegoi se ky album ka qenë një proces i ndërtuar me shumë kujdes e dashuri, ku çdo element është realizuar live që nga interpretimi vokal, tek instrumentistët dhe deri te xhirimi.

Megjithatë, përveç anës artistike, Shpati hapi edhe një dritare të ndjeshme nga jeta e tij personale. I vendosur përballë pesë pyetjeve të drejtpërdrejta, ai foli për një periudhë të vështirë të jetës, ku është përballur me depresionin.

“Kam kaluar periudha të errëta me vetveten. Më ka rastis të jetoj periudha depresive. Për dikë që e ka përjetuar diçka të tillë, e di shumë mirë se sa e vështirë është ajo. Ka njerëz që më thonë se kanë qenë në një fazë të tillë dhe muzika ime i ka ndihmuar shumë. Kjo më prek jashtë mase, sepse e kam provuar edhe vetë dhe e di çfarë do të thotë,” u shpreh ai.

Artisti rrëfeu se rruga drejt rikthimit tek vetja nuk ka qenë e lehtë, por ka qenë e mundur. Ai tha se shpëtimin e ka gjetur tek një e vërtetë e thjeshtë, por shpesh e harruar:

“Unë shpëtimin e kam gjetur te fakti se çdo gjë është e përkohshme në jetë dhe do të kalojë.”

Mesazhi i tij është i qartë: ndonjëherë, muzika nuk është vetëm art është terapi, është strehë, është frymë. Dhe për Shpat Dedën, muzika është edhe mënyra si ai lidh dhimbjen me shpresën.