Thu, Nov 6, 2025

“Belinda Balluku duhet të largohet menjëherë nga detyra”- Elda Hoti: Ku kanë përfunduar 50 mln euro të tenderit abuziv të Tunelit të Llogarasë

  • PublishedNovember 6, 2025

Deputetja demokrate Elda Hoti, foli sot nga foltorja e Kuvendit, lidhur me rastin e zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tenderin e Tunelit të Llogarasë.

Hoti kërkoi që Balluku të japë dorëheqje dhe të vihet para drejtësisë, pasi ajo përbën rrezik për prishje të provave dhe intimidim të dëshmitarëve

Elda Hoti: Ku kanë përfunduar 50 mln euro të tenderit abuziv të Tunelit të Llogarasë që mbajnë firmën e Belinda Ballukut dhe Edi Ramës. Dhe këto para nuk janë thjesht shifra në buxhet, janë taksat e qytetarëve , janë paratë e shqiptarëve që paguajnë çdo ditë karburantin më të shtrenjtë, faturat e energjisë më të lartë dhe ushqimin më të shtrenjtë në rajon.

Dhe ndërkohë që qytetarët sakrifikojnë, pushtetarët shpërndajnë tendera fiktivë, kontrata pa transparencë dhe fonde që zhduken në rrugët e korrupsionit. Rasti i Ballukut është dëshmia se si është kapur dhe përdhosur sistemi i prokurimeve publike. Një zyrtare e lartë e shtetit që është marrë e pandehur nga SPAK vazhdon të qëndroje në detyrë sikur mos të ketë ndodhur asgjë. Si mund të qëndrojë në detyrë një zv.kryeministre në hetim për korrupsion dhe abuzim me fondet publike?

Si është e mundur që SPAK nuk ka vendosur asnjë masë sigurie kur ligji e përcakton qartë se personat në hetim që kanë akses në dokumente, në vartës mund të prishin prova të intimidojnë dëshmitarë, apo të konsumojnë vepra të tjera penale.
Pse Sali Berisha u vendos në masë 330 ditë në arrest shtëpie, pse Arben Ahmetaj u vendos me masë sigurie arrest me burg, pse Ilir Meta u vendos në arrest në burg dhe pse për Ballukun SPAK mbyll sytë dhe nuk jep asnjë masë?

Askush nuk mund të besojë se ka drejtësi të barabartë kur një qytetar arrestohet për një faturë të papaguar dritash, ndërsa një zyrtare e lartë e akuzuar për abuzime me dhjetëra miliona euro vazhdon të firmosë kontrata të reja.

Pas saj qëndron Rama. Afera e tunelit të Llogarasë mban edhe firmën e Ramës.

Belinda Balluku duhet të largohet menjëherë nga detyra dhe të shkojë para drejtësisë dhe Edi Rama duhet të mbajë përgjegjësi për sistemin që ka ndërtuar.