Thu, Nov 6, 2025

Deklarata e Berishës për qëndrimin e ambasadorit Gonzato ndaj ligjit për barazinë gjinore, reagon kryeministri Rama

  • PublishedNovember 6, 2025

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili deklaroi se ambasadori i Bashkimit Evropian po impononte bindjet e tij në ligjin për barazinë gjinore.

Në një reagim në “X”, teksa ka rishpërndarë postimin e komisioneres për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, Rama ka kërkuar ndjesë për mënyrën se si, sipas tij, një ligj “fisnik dhe plotësisht në përputhje me parimet e BE-së për barazinë gjinore dhe mosdiskriminimin” është keqpërdorur për qëllime politike.

“Kërkojmë ndjesë për mënyrën fyese se si një ligj shumë fisnik, plotësisht në përputhje me parimet e BE-së për barazinë gjinore dhe mosdiskriminimin, është keqpërdorur për të shtrembëruar perceptimin publik, si dhe për mënyrën se si Ambasadori i BE-së është shfrytëzuar për një qëllim kaq të ulët”, ka shkruar Rama, ndërsa shton se: Megjithatë, siç themi në shqip, qentë le të lehin, karvani ecën përpara”.

REAGIMI I MARTA KOS DHE DEKLARATA E BERISHËS

Në reagimin e saj për deklaratën e Berishës, Marta Kos theksoi se barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë thelbësore e legjislacionit europian.

Ajo u shpreh se këto parime nuk janë kërkesa personale të Gonzatos dhe se çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm.

“Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së. Përputhja me të është pjesë e procesit të pranimit në BE.

Kjo nuk është një kërkesë private e Ambasadorit të BE-së. Çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm”, shkruan ajo.

Reagimi i saj erdhi pas kritikave që Sali Berisha drejtoi ndaj ambasadorit Gonzato nga Kuvendi, ku e akuzoi se po “imponon bindjet e tij personale” në lidhje me projektligjin për barazinë gjinore.

“Ekspertë të shquar, kanë pohuar se nga 10 direktiva të BE në asnjërën prej tyre nuk flitet për përkatësi të shumëfishtë gjinore, për gjini me diversitet të gjerë. Një gazetar më tha se ambasadori Gonzato ka kërkuar votimin e ligjit, i kërkoi të nderuarit ambasador të nxjerrë cilat direktiva të BE e kërkon një gjë të tillë.

Cila direktivë t’u thotë shqiptarëve se direktivat aty, sepse ky ligj nuk ekziston në 21 vende anëtare të BE sepse ky ligj është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese franceze në vitin 2016, se u mohon prindërve të drejtën e edukimit.

Ky ligj de fakto në shoqërinë post marksiste, godet familjen. Çfarë ka bërë ky grup sororianësh që ka pushtuar shtetin shqiptar. Edhe ajo që erdhi e rritur e pasuruar pasurisht me fondet e Soros dhe tani këtë ligj kërkojnë ta votojnë në 2 të natës. E Kanë vendosur në pikën 17 të rendit të ditës. Këtë ligj i cili defakto përmbys kodin e familjes”, deklaroi Berisha në Kuvend.