Thu, Nov 6, 2025

“Langaraq” “Do thyesh kokën”- Kamera e fshehtë e Vetting zbardh momentet e tensionit mes babait të kryetatimorit dhe avokatit Muharem Doku! Binaj: Unë as e çaj b*thën fare

  • PublishedNovember 6, 2025

EMISIONI VETTING

Zoti Agim Binaj e pranon vetë që kur kompania ka xhiro vjetore mbi 10 milionë lekë nuk lejohet, por ai referohet kompanisë “ASC CPAs” ndërkohë anashkalon faktin që kompania tjetër, “TPA Albania” shpk ka xhiro vjetore mbi 10 milionë lekë.

Pavarësisht kësaj shkeljeje, edhe ligji për Procedurat Tatimore i ndryshuar e ndalon kryetatimorin Binaj të ushtrojë detyrën ndërkohë që familjarët e tij kanë kompani auditimi. Argumentet e avokatit Muharrem Doku do të sillnin dhe acarimin e profesorit Binaj pasi ish drejtori te Tatimet do të zbulonte shkelje që kanë lidhje me kohën që kryetatimori Binaj ka qenë në detyrë.

(Bisedë e shkëputur nga kamera e fshehtë 5, takim midis babait të kryetatimorit Binaj, Zotit Agim Binaj dhe avokatit Muharrem Doku)

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Ca ka emëruar djali yt sot te Tirana?

AGIM BINAJ:   Djali im?

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Ca ka emëruar djali yt sot te Tirana ( i referohet Drejtorit të Tatimeve për Tiranën)

AGIM BINAJ:   Nuk ka rëndësi.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  S’paska rëndësi, për atë paska rëndësi.

AGIM BINAJ:   Jo more, ti do më dëgjosh se s’merrem unë me emërimet e tatimeve.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Jo po thuaj që ka bërë shkelje për këto emërimet!

AGIM BINAJ:   Do thyesh kokën, ja ku po ta them.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Unë?

AGIM BINAJ:   Ja ku po ta them.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Më dëgjo.

AGIM BINAJ:   Kokën ke për të thyer!

AVOKATI MUHARREM DOKU:  O zotëri!

AGIM BINAJ:   Po akuzove njerëzit  e ndershëm, mbaje mend do thyesh kokën.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Kujt do ia thyesh kokën?

AGIM BINAJ:   Ja ke folur për kokën e djalit tim, pik pik pik.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Po pse ke ardhur?

AGIM BINAJ:   Nuk duhet të paragjykosh.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Absolutisht.

AGIM BINAJ:   Ti s’e njeh fare djalin tim ( thyen gotën në dyshemenë e lokalit).

AGIM BINAJ:   Thyeje, tani je në rregull.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  O zotëri!

AGIM BINAJ:   Nuk e njeh, mos paragjyko! Ka shkruar gazeta…

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Nuk e kam shkruar unë, e ka shkruar gazeta.

AGIM BINAJ:   Nuk e ke shkruar ti, tani do më dëgjosh një llaf si burrë i vjetër që jam?

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Po!

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Po ti që më thua mua.

AGIM BINAJ:   Ore unë ta kam fajin.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Që do thyesh kokën më thua ti mua.

AGIM BINAJ:   Po do thyesh sepse janë punëtor njerëz të ndershëm.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Mua s’më akuzon dot njeri.

AGIM BINAJ:   Dhe bibla ka një përcaktim.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Po lërë biblën.

AGIM BINAJ:   Edhe bibla, bibla, bibla, ja do që ta lexoj?

AGIM BINAJ:   Do që ta lexoj. Tashi  më dëgjo mua në qoftë se ke vullnet.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Ehaa.

AGIM BINAJ:   Tashi në qoftë se ke vullnet me jep vullnet sa djali im.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Tani këto janë forma…

AGIM BINAJ:   Të lutem, më dëgjo se nuk ta mbush mendjen.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Edhe njëherë, këto janë forma kërcënimi këto që po më bën.

AGIM BINAJ:   Jo po unë s’po kërcënoj fare.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Ti po më thua mua “Do thyesh kokën”.

AGIM BINAJ:   Po do e thyesh se ke mendje të keqe.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Po e kam pra?

AGIM BINAJ:   Pse e ke?

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Sepse…

AGIM BINAJ:   Se akuzon njeriun e ndershëm. Në qoftë se ke prova, akuzo Ceno Klosin. C’punë ke me mua?

AVOKATI MUHARREM DOKU:  C’punë kam me ty unë?

AGIM BINAJ:   Po e ke shkruajtur mo!

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Po s’e kam shkruar unë. Dhe ka mundësi mos bërtit mor burrë. Ku e ke?

AGIM BINAJ:   E ka gazeta.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Por coje në gjykatës.

AGIM BINAJ:   Nuk ka nevojë.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Por coje në gjykatë.

AGIM BINAJ:   Unë njoh personin, që ka të bëjë.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Do më padisësh…

AGIM BINAJ:   Unë ty?

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Tani mos më bëj mua të dal nga vetja, ti po më bërtet. Po më kërcënon!

AGIM BINAJ:   Unë kam tonin.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Po më kërcënon!

AGIM BINAJ:   Unë as të kërcënova.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Do thyesh kokën më the.

AGIM BINAJ:   Po do thyesh se …

PERSON I TRETË: Ai ta tha si shprehje.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Po ca.

AGIM BINAJ:   Se janë njerëz të ndershëm prandaj do thyesh kokën.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Ore zotëri, ti the ka ardhur si patriot (i referohet kryetatimorit Ilir Binaj qe ka ardhur nga SHBA).

AGIM BINAJ:   Po si patriot ka ardhur.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Po lëri mo këto, leri.

AGIM BINAJ:   Dhe mbaje mend këtë që po të them.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  C’punë kam unë.

AGIM BINAJ:   Dëgjo cik.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Është puna e atij, me se merret ai…

AGIM BINAJ:   Ore dëgjo për veten tënde se unë se çaj kokën fare.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Unë nuk të dëgjoj fare.

AGIM BINAJ:   E di ti që nuk e çaj kokën fare. Thjesht unë doja të njihja këtë personin që më ka akuzuar, kaq.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  S’të kam akuzuar unë mor burrë.

AGIM BINAJ:   Po, në gazetë më ke akuzuar.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Më ço në gjykatë nëse unë të kam akuzuar.

AGIM BINAJ:   Dëgjo mua, se s’merrem me langaraq.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Nuk jam langaraq.

AGIM BINAJ:   Do më dëgjosh një llaf në fund e të iki?

AVOKATI MUHARREM DOKU:  O Zotëri, unë s’jam langaraq. Po më thua langaraq, unë s’jam langaraq.

AGIM BINAJ:   Të gjithë ata që shkruajnë kot, janë langaraq.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Edhe unë?!

AGIM BINAJ:   Nuk të fus ty, ti ndoshta s’je, por ata të tjerët. Por ti e ke shkruajtur atje.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Dhe qenkam langaraq unë?

AGIM BINAJ:   Dhe thotë sipas…

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Dhe jam langaraq unë?

AGIM BINAJ:   Atë s’e di unë, koha do e provoj.”

Biseda u tensionua më shumë për shkak të emërimeve në shkelje të mundshme të ligjit nga kryetatimor Ilir Binaj, për të cilat avokati Doku kishte marrë informacione nga Tatimet.

“Për këtë rast unë kam një informacion, që drejtuesja aktuale  e Drejtorisë Rajonale Tiranë është e komanduar në atë pozicion, por nuk është vetëm ajo. Unë kam informacion që edhe gjatë kohës  që unë kam ushtruar detyrën pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore, shumica ose pjesa më e mirë e drejtuesve janë të gjithë të komanduar. Kjo është një shkelje totale e ligjit sepse në Republikën  e Shqipërisë, në asnjë ligj nuk njihen komandimet në detyrë, nuk ka komandime në detyrë”, deklaroi avokati Doku.

Njëra nga drejtueset në Administratën Tatimore është Erilinda Lala, e cila ka qenë drejtuese e komanduar në detyrë në shkelje të ligjit nga Drejtori i Përgjithshëm Binaj pasi Drejtoresha nuk ka dhënë provimin te Departamenti i Administratës Publike dhe tani në tetor 2025 është futur për të marrë provimin përfundimtar.

Sipas ish drejtorit të auditit te Tatimet, Muharrem Doku për të qenë drejtues në Administratën Tatimore, në radhë të parë duhet të kesh statusin e nëpunësit civil dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve duhet të shpall vakancat e punës.

“Kjo bëhet edhe në  bashkëpunim me Departamentin e Administratës Publike, që shpallen vakancat dhe duhet të kryhet një provim, për të prokuruar për pozicionet e punës. Një gjë e tillë mesa kam unë informacion dhe mesa kam parë s’ka njoftime të tilla, për vakanca sidomos për drejtues, por as edhe për inspektorë. Edhe mendoj që këto janë të gjitha në shkelje të ligjit, emërime që janë kryer edhe që kryhen nga drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”, tha avokati Doku.

Nga kërkimet e “Vetting” rezulton se Erilinda Lala ka filluar punë si drejtuese  e kabinetit të kryetatimorit Binaj në nëntor 2024, ndërkohë që deri në fund të dhjetorit 2024 rezultonte si aksionere së bashku me Marsida Dedej te kompania  ish “GEA Construction”, sot “2D CONSTRUCTION 2025” shpk. Në 16 dhjetor 2024,  Lala do ti dhuronte aksionet e kompanisë Marsida Dedej.

Por fakti që ka qenë aksionere te një kompani private tregon një konflikt të mundshëm interesi, pasi personat te tatimet nuk mund të kenë biznese sepse fusha ku ata veprojnë bie ndesh me veprimtarinë e tyre.

Problemet me emërimet në administratën tatimore janë të hershme dhe aktuale pasi kanë qenë të theksuara në kohën që ka qenë deputeti Ceno Klosi, që është nën hetim për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh.

Sipas avokatit Doku, këto emërime ekzistojnë për ti bërë presion vartësve në Administratën Tatimore.

“Kur një titullar ose një punonjës e ka emërimin që e ka fituar nëpërmjet provimit në Administratën Publike ose Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ndaj atij nuk mund të ushtrosh presion gjatë kryerjes së detyrës, por duke qenë të komanduar, ata janë më të lehtë për tu shantazhuar dhe kjo është mendoj unë rruga që ata drejtues kanë zgjedhur për ti mbajtur drejtuesit e tillë”, u shpreh avokati Doku.

Kjo gjë konfirmohet edhe nga raportet e fundit të Kontrollit të Lartë  të Shtetit. Mesa duket presioni në Administratën Tatimore nga personat që drejtojnë apo personat e lidhur me ta, shkelja e ligjit është fakt.

“Bisedë e shkëputur nga kamera e fshehtë 6, takim midis babait të kryetatimorit Binaj, Zotit Agim Binaj dhe avokatit Muharrem Doku.”

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Unë jam shumë i përgjegjshëm.

AGIM BINAJ:   Prit! Mos u nxito.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  E paskam shkruajtur unë?

AGIM BINAJ:   Po mirë, mo dil thuaje publikisht, këto s’janë llafet e mia.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Se të duhet ty? Se të duhet ty?

AGIM BINAJ:   Mua më djeg/duhet?

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Po ty të djeg!

AGIM BINAJ:   Unë as e çaj b*thën fare.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Në rregull.

AGIM BINAJ:   Pse? Sepse jam aq i pastër, jam aq i pastër sa ty nuk ta merr mendja.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  E kuptova sa i pastër je!

AGIM BINAJ:   Ah mirë, në rregull.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  E kuptova sa i pastër je!

AGIM BINAJ:   Atëherë në rregull.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Ok.

AGIM BINAJ:   I dashur…

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Hajde mirupafshim.

AGIM BINAJ:   Të dëgjoj të mirat!

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Faleminderit!

AGIM BINAJ:   Të dëgjojë të mirat, jo të keqen!

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Faleminderit!

AGIM BINAJ:   Po mos u merr me njerëzit e ndershëm… se do flasësh me vete nesër.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Do flasësh ti, jo unë!

AGIM BINAJ:   Unë?!

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Mua mos më bëj kërcënime!

Do flasësh ti, jo unë.

AGIM BINAJ:   Unë do flas?

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Kërcënime mos bëj…

AGIM BINAJ:   Unë jam i drejtë.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Me mua do të dalin punë. Me mua të del punë!

AGIM BINAJ:   Me mua?

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Eee…

AGIM BINAJ:   Për çfarë?

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Se po më bëm kërcënime.

AGIM BINAJ:   Unë s’bëj kërcënime.

AVOKATI MUHARREM DOKU:  Do thyesh kokën, jam i ndershëm ( i referohet kërcënimeve nga Agim Binaj), do të dalin punë.

AGIM BINAJ:   Unë them do thyesh kokën se akuzon kot.

Ky është vetëm njëri prej rasteve që ne treguam sot, ku babai i kryetatimorit Binaj kërcënon avokatët që thjesht kanë folur për provat dhe faktet që ka ekspozuar “Vetting”.  Për “Vetting”, avokati Muharrem Doku, i cili ka qenë viktimë e presionit të babait të kryetatimorit Ilir Binaj deklaron se do t’u drejtohet institucioneve ligjzbatuese.

“Duke qenë se mora një formë kërcënimi nga zotëria Agim Binaj kam menduar që këtë çështje ta ndjek në mënyrë ligjore, pra me kallëzim në prokurori”, tha i shqetësuar avokati Doku.

Në vazhdim të këtij artikulli, më poshtë keni një përmbledhje të shkrimit të mëparshëm të publikuar në 23 tetor 2025. Në atë shkrim dalin në pah shkeljet ligjore të drejtorit aktual, ku babai i vet Agim Binaj duhet të kishte shitur aksionet  që i biri mos të ishte në konflikt interesi ose vetë kryetatimori Binaj duhet të mos e kishte pranuar detyrën, gjë që nuk ka ndodhur.

Vetting zbulon konfliktin e interesit të Kryetatimorit Ilir Binaj! Babi auditon, i biri firmos! Flasin ekspertët: Ka shkelje ligjore, dyshime për korrupsion!

Prej disa vitesh Administrata tatimore shqiptare ndodhet në qendër të skandaleve që përfshijnë shkeljet me konflikt interesi, dypunësim dhe mungesë të theksuar transparence në nivelet më të larta të saj. Në tetor 2024, në krye të tatimeve do të emërohej Zoti Ilir Binaj, një figurë me përvojë ndërkombëtare në fushën e auditimit. Por emërimi i tij, që në fillim u konsiderua si fillimi i një reforme, është kthyer në një rast të rëndë për shkelje të ligjit.

Binaj ndodhet në një konflikt të hapur interesi, pasi i ati, Agim Binaj, zotëron dy kompani auditimi  “ASC CPAs” dhe “TPA Albania” që janë të licencuara në Institutin e Ekspertëve Kontabël të Autorizuar dhe operojnë në të njëjtin sektor që mbikqyret nga vetë Drejtoria e Tatimeve. Kjo situatë, sipas juristëve dhe ish-zyrtarëve të administratës tatimore, bie ndesh me ligjin për konfliktin e interesit dhe me ligjin “Për Procedurat Tatimore”  i ndryshuar, që ndalojnë çdo formë ndërveprimi ose ndikimi të mundshëm mes interesave private familjare dhe detyrës publike.

Sipas avokatëve, rasti i një Drejtorit të Përgjithshëm kur babai ka kompani auditimi është shkelje e këtyre dispozitave ligjore, pasi Drejtoria e Përgjitshme e Tatimeve nuk mund të ushtrojë kontroll mbi kompanitë e babait të tij pa rrezikuar konflikt institucional dhe presion mbi nëpunësit që kryejnë auditime. Kjo gjendje, sipas ekspertëve, minon integritetin e administratës dhe krijon perceptim publik për favorizim dhe ndikim të padrejtë në tregun e auditimit.

Ky konflikt thellohet edhe më shumë nga fakti se kryetatimori Binaj, sipas deklarimeve të tij pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ka qenë i punësuar njëkohësisht në kompaninë ndërkombëtare të auditimit “Crow LLP”, e cila ka degë aktive në Shqipëri. Ky përbën një rast të qartë dypunësimi dhe konflikt interesi, pasi drejtori i Tatimeve mbikqyr bizneset, duke qenë vetë pjesë e një kompanie që operon në fushën e auditimit. Ligji i ndalon në mënyrë kategorike zyrtaërt e lartë publikë  që të kenë përfitime financiare nga kompani të fushës që ata kontrollojnë.

Këto dyshime rëndohen nga mungesa e reagimit të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, i cili në shkelje të ligjit nuk ka publikuar dokumentet e vetëdeklarimit të Binajt dhe nuk ka hapur asnjë hetim administrativ mbi rastin. Kjo heshtje institucionale ngre pikëpyetje mbi funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe mbi pavarësinë e vetë ILDKPKI-së, ky përgjegjësinë kryesore e ka kryeinspektorja Evgjeni Bashari dhe Sekretari i Përgjithshëm Arbër Basholli, persona që janë vendosur në dijeni pas transmetimit të emisionit në 23 tetor 2025.

Rasti i Binajt nuk është i izoluar. Paraardhësi i tij, Ceno Klosi, aktualisht deputet i Partisë Socialiste, është nën hetim nga SPAK për falsifikim dokumentesh dhe mashtrim gjatë kohës që drejtonte Tatimet. Edhe Klosi është akuzuar për konflikt interesi, pasi zotëron një kompani private në Mbretërinë e Bashkuar (“First Bar Limited”) të pashënuar në formularët e vetëdeklarimit. Mungesa e ndëshkimit për Klosin, sipas ekspertëve ligjorë, ka krijuar një precedent të rrezikshëm që inkurajon zyrtarët e tjerë të mos i frikësohen shkeljeve të tilla.

Në këtë kontekst, raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit  e përforcojnë idenë e një administrate tatimore të mbërthyer nga interesat personale dhe mungesa e kontrollit të brendshëm. Auditi evidenton se procedurat e kontrollit tatimor janë jashtë afateve ligjore, me qindra dosje të pazgjidhura që prej vitit 2017 dhe me mangësi serioze në menaxhimin e burimeve njerëzore e aseteve publike.

Në përfundim, ajo çfarë del nga hetimet tregon një administratë tatimore në krizë besueshmërie, ku interesat familjare dhe mungesa e transparencës janë bërë pjesë e funksionimit të përditshëm. Rasti Binaj dhe i paraardhësit Klosi shërbejnë si shembuj të një problemi strukturor që kërkon hetim të plotë nga institucionet ligjzbatuese dhe reformim të thellë për të rikthyer besimin te administrata tatimore shqiptare, pranë bizneseve dhe interesave të publikut.