Thu, Nov 6, 2025

“Paracaktoi fituesin e tenderit me SMS”- Agron Shehaj: Këtu i kemi faktet, zv/kryeministrja ka vjedhur miliona euro me tunelin e Llogarasë!

  • PublishedNovember 6, 2025

Deputeti dhe kryetari i Partisë “Mundësia” tha nga foltorja e Kuvendit se ka fakte të qarta dhe llogjikë të pastër se zv/kryeministrja Belinda Balluku ka vjedhur miliona euro me tenderin e tunelit të Llogarasë, duke paracaktuar fituesin me SMS, dosje për të cilën është marrë e pandehur nga SPAK.

Teksa mori fjalën sot në Parlament, në lidhje me raportin vjetor të KLSH-së për vitin 2024, ligjvënësi e përqendroi vëmendjen e diskursit të tij tek skandali më i fundit i ministres së Energjetikës dhe Infrastrukturës.

Ai lexoi pjesë nga dosja, duke iu referuar mesazheve telefonike dhe bisedave mes Ballukut dhe vartësit të saj ish-kreut të arrestuar të ARRSH-së, Evis Berberi.

“Kemi një rast ku nuk ka nevojë të përdorim llogjikën, kemi faktet se si zv/kryeministra ka përcaktuar fituesin e një gare, duke harxhuar shumë më shumë se ç’duhet të harxhonin qytetarët shqiptarë për të ndërtuar tunelin e Llogarasë. Ka tre momente kyçe të shpalljes së fituesit se si zv/kryeministrja ndërhyn në tender. I pari kur i kërkon drejtorit të saj me SMS në muajin shtator që të publikoj ofertat, Berberi i shkruan dhe i çon me telefon me foto ofertat për tunelin e Llogarasë, kështu vepronin ata me komunikime direkte në telefon. ZV/kryeministrja Balluku pasi ka dëgjuar ofertat i thotë 14 minuta më vonë: Sigurisht ky ka hyrë me një çmim skandal poshtë, 10 mln euro më pak, por nuk plotëson kushtet, sigurisht. Vetëm 15 minuta pas ofertave Balluku vendos se ai kishte ofruar 10 mln më pak”, tha deputeti para kolegëve.

Por teksa deputetët e mazhorancës i ndërhynë nga salla, ai u kujtoi se këto janë milionat e qytetarëve. Socialistët i kërkuan që të mos dilte nga rendi i ditës, por Shehaj vijoi:

“Janë milionat e qytetarëve, të shqetëson koha ty, dëgjo me vëmendje, lëre kohën. E keni këtu, ja thotë shprehimisht, “them ta lëmë 10 ditë, herën e parë e lamë 15 ditë, pastaj thonë e lëmë 9 ditë përfundimisht”. Janë vjedhur miliona, ne flasim për shëndetësinë, këtu janë vjedhur miliona dhe po u vodhën këto, s’ka lekë as për ilaçet. Kanë skualifikuar të gjithë pjesëmarrësit e tjerë, 4 kompani, u la vetëm ajo e paracaktuara. Ja i kemi këtu shprehimisht, Berberi ka frikë se mos ka ndryshuar mendjen. Praktikisht Belinda Balluku i thotë drejtorit të vetë prit t’i shkruaj atij… dhe më pas i shkruan të shpallë fituesin pasi merr lejen prej tij. I thotë shpalle fituesin”.

Në fund deputeti kujtoi se Komisionet e Ofertave në Shqipëri janë formale, për procedurë, sepse tenderët vendosen me paracaktim dhe me telefonata, sikurse bënte Balluku.

“Kjo tregon se si jepen tenderat në Shqipëri, Komisionet janë për të gënjyer njerëzit, për procedura, çdo gjë bëhet nëpërmjet telefonit. Kjo po ndodh në Shqipëri, ne e dimë këtë gjë, Shqipëria është ndër vendet më të korruptuara në Evropë. Balluku vjedh milionat jo vetëm për t’u pasuruar vetë e familja e për t’i përdorur, por edhe për të vjedhur zgjedhjet, bashkë me kryeministrin”, tha ai.