Thu, Nov 6, 2025

“SPAK sekuestroi telefonin e Ballukut në zyrë 1 vit e gjysëm më parë! Duhet përgëzuar për këtë goditje”- Alaudin Malaj: Skema me Tunelin e Llogarasë si mafia italiane

  • PublishedNovember 6, 2025

Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit në Tiranë, Alaudin Malaj, ka komentuar në emisionin “Log” në News24 zhvillimet e fundit që lidhen me hetimet e SPAK ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, në lidhje me tenderin 50 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Malaj u shpreh se kjo çështje nuk ka të bëjë me “pabarazi në tendera”, por me një “vjedhje të hapur dhe të strukturuar”, të ngjashme me skemat e mafies ndërkombëtare.

“Ne po flasim për pabarazi në tendera, por këtu kemi të bëjmë me një vjedhje të pastër të 50 milionë eurove. Është një qarkullim parash tipik i mafies italiane për të nxjerrë lekët jashtë vendit,” deklaroi ai.

Sipas Malajt, mënyra se si fondet janë transferuar nga Shqipëria në Turqi dhe më pas janë rikthyer përmes kompanive shqiptare, tregon për ekzistencën e një rrjeti të mirëorganizuar kriminal.

“Kalimi i parave nga Shqipëria në Turqi dhe rikthimi i tyre sërish në kompani shqiptare është mafia! Çfarë ndryshimi ka kjo me Italinë? Ku kanë përfunduar këto miliona euro?” – pyeti ai.

Ish-gjyqtari theksoi se pas tenderit qëndron një grup i fuqishëm kriminal, me ndikim të gjerë në strukturat shtetërore.

“Besoj se këto para kanë përfunduar në duart e një bande shumë të fortë kriminale në Shqipëri, e aftë të ushtrojë presion të madh për të mbuluar këtë aferë. Ky është mendimi im,” përfundoi Malaj.

Sakaq, Malaj zbuloi se telefoni i Belinda Ballukut është sekuestruar 1 vit e gjysëm më parë në zyrën e saj, në të njëjtën kohë, kur u sekuestrua dhe telefoni i Evis Berberit.

“Telefonat janë 1vit e gjysëm që janë marrë edhe të zv.kryeministres edhe të Berberit, pavarësish se nuk kemi kohë. Janë marrë në zyrë, edhe zv.kryeministres 1 vit e gjysëm më parë.
Duhet përgëzuar SPAk për këtë goditje, të marrësh në procedim penal, ti japësh akuzë është diçka madhore. Ne e shohim çdo ditë veprimtarinë e SPAK-ut dhe të gjithë tjerave. Seç do vazhdojë më vonë, 50 mln nuk mund të kalojnë kaq kollaj, janë vjedhje e hapur e pasurisë shtetërore.”