Zgjedhjet në Vlorë, mes mosbesimit të votuesve dhe akuzave për patronazhim
Në rrugën përbri Fakultetit të Shkencave Teknike dhe Natyrore në Vlorë është vendosur prej ditësh një billboard 4 x 3 metra, me njoftim të KQZ-së që lajmëron se në 9 nëntor në qytet ka zgjedhje për kryetarin e Bashkisë. Por jo më larg se 100 metra nga njoftimi, disa të rinj nuk dinë asgjë për zgjedhjet.
“As e di, as jam interesuar,” thotë Fabiani, 22 vjeç, student në fakultet.
“Nuk ka ndonjë njeri që të më bindë se do të bëjë ndryshim dhe do të më bëjë të votoj,” shton ai, duke pohuar se nuk ka votuar asnjëherë.
Fabiani i njeh problemet e qytetit të Vlorës – nga kanalizimet e hapura dhe të pambyllura, te fusha e mbetjeve që digjet apo rrugët e prishura – por nuk beson se zgjedhjet e radhës do ta ndryshojnë situatën.
Të njëjtën gjë beson edhe një 76-vjeçar që i kalon ditët si pensionist, i ulur në shkallët e monumentit të Pavarësisë.
“Ku pyet ai për votën time,” thotë Ramo Meçaj, duke pasur ndër mend kryeministrin Edi Rama.
“Këta o mik i peshojnë lekët, nuk i numërojnë dot me dorë,” thotë burri duke u ankuar për korrupsionin dhe mungesën e zhvillimit në qytet.
Vlora shkon në zgjedhje të pjesshme për shkak të dorëheqjes së zhurmshme të ish-kryebashkiakut Ermal Dredha, pas një sërë kritikash të hapura dhe përplasjesh me kryeministrin Rama për menaxhimin e qytetit.
Pavarësisht mandatit të shkurtër, tre kandidatë do jenë në fletën e votimit të dielën.
Brunilda Mersini la mandatin e sapofituar të deputetes për të garuar si kandidate e Partisë Socialiste për Vlorën. Përballë saj garojnë dy kandidatë të pavarur, biznesmeni Dionis Sota, i cili ka mbështetjen zyrtare të Partisë Demokratike dhe financieri Gjergji Nika, aktualisht këshilltar i opozitës në Këshillin Bashkiak të Vlorës.
Garë pa garë

Në Vlorë thirren të votojnë rreth 170 mijë zgjedhës, por bashkia njihet për pjesëmarrje të ulëta në votime dhe pritshmëritë në zgjedhjet e pjesshme qartazi nuk janë të mëdha. Në zgjedhjet e fundit vendore në vitin 2023 vetëm 25% e votuesve morën pjesë. Indiferenca në bashki është edhe më e madhe për shkak të dominimit të socialistëve. Në zgjedhjet e fundit, bashkia u fitua nga partia në pushtet me 28 mijë vota dhe një diferencë gati 17 mijë vota nga kandidati i opozitës. Në zgjedhjet e vitit 2025, socialistët morën 29 mijë vota dhe PD e partitë e tjera opozitare rreth 21 mijë.
“Mua më duket sikur nuk ka garë,” thotë Ermal Çukani, pedagog dhe aktivist lokal nga lëvizja Community Hub Vlorë.
Ai shpjegon se socialistët vijnë pas një fitoreje dërrmuese në qytet dhe rrethina, me struktura ende të ngritura, dhe garojnë përballë një opozite të ndarë, e cila edhe në ditët më të mira do e kishte të vështirë të sfidonte shumicën.
Çukani po ashtu thotë se nuk sheh interes për fushatën dhe as përfshirje të qytetarëve.
I njohur si zë kritik ndaj qeverisjes lokale në Vlorë, ai nuk mendon se do të ketë ndryshim. “Unë realisht nuk është se shikoj ndonjë shpresë për ndonjë ndryshim të madh,”, thotë ai.
Aktivisti nuk është i vetmi që beson se nuk ka garë. Një vajzë rreth 28-vjeç me të cilën biseduam pranë universitetit, po ashtu nuk sheh sfidë për socialistët. Ajo thotë se nuk i njeh kandidatët e opozitës dhe as e ka hasur fushatën e tyre. “As në rrjetet sociale nuk i kam parë,” thotë ajo.
Megjithatë, qoftë Mersini, qoftë Sota dhe Nika që garojnë përballë saj, flasin për fushatë intensive.
“Unë e mendoj që garë gjithmonë ka. Në momentin që ti ke zgjedhje, është hapur një garë. Është e fortë apo është e dobët, e shikon rezultatin në fund,” tha Mersini, me të cilën biseduam në një prej kafeneve të qytetit në zonën e Skelës.
Kandidatja e socialistëve dukshëm beson se do të fitojë, megjithatë ajo thotë se besimi nuk vjen nga historia e zgjedhjeve në bashki, por te organizimi i forcës që e mbështet dhe mbajtja e premtimeve.
“Partia Socialiste padiskutim ka organizim kapilar në zgjedhje. Duket ndonjëherë si ajo fjala klishe “patronazhim”, por jo, ne u qëndrojmë njerëzve. Ne i kemi qëndruar çdo lloj njeriu që na vjen, na parashtron një problem, nuk jemi indiferentë. Prandaj besojnë njerëzit, se ndryshe nuk ka sesi”, thotë Mersini.
Gjergji Nika, i cili thotë se sfidon shumicën dhe opozitën zyrtare në këto zgjedhje, po ashtu beson se ka një garë dhe ka shanse reale për të sfiduar kandidaten e shumicës.
Nika, i cili është këshilltar i opozitës në Këshillin Bashkiak dhe mbështetës i grupimit brenda PD që mbështeti Lulzim Bashën, thotë se është nën sulm edhe prej socialistëve, edhe prej PD-së zyrtare dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai thotë se e fitoi të drejtën për të garuar në Kolegj Zgjedhor si një sfidë ndaj të dy palëve.
“E para njëherë ishte presioni politik që të dyja krahët bënë në Kolegjin Zgjedhor dhe në KQZ, për mosregjistrimin tim”, thotë ai.
Nika beson se ka një mbështetje organike nga strukturat e PD-së, të cilat i njeh mirë. “Ajo votë që unë do marr, përveç votës së strukturës së demokratëve, është votë e së djathtës, sepse kjo garë është për mua një garë edhe për ta kthyer të djathtën tek e djathta,” thekson ai.
Sota nga ana tjetër thotë se është futur në një fushatë intensive dhe se po ndjek një model të ri fushate me takime të vogla dhe pa tubime të mëdha.
“Fushata është impenjative faktikisht, se nuk është se unë kam zgjedhur të bëj atë të zakonshmen. Jo që s’e kemi makinerinë e PS-së, se PS-ja po përdor makineri, por edhe unë vetë kam zgjedhur që ta bëj fushatën jo në mënyrën klasike, me turma njerëzish”, tha ai.
Ai beson se zhgënjimi i madh i qytetarëve me shumicën socialiste dhe me administratën e bashkisë do e ndihmojë. “Por kemi parë një sërë procesesh, kemi parë një zhgënjim jashtëzakonisht të madh dhe një arrogancë të menjëhershme sidomos pas zgjedhjeve”, thotë ai duke iu referuar drejtuesve të mëhershëm të bashkisë.
Të dy kandidatët e pavarur ankohen se PS po përdor masivisht patronazhimin dhe presionin ndaj administratës për të siguruar vota.
“Shqetësimi im në fushatë është patronazhimi dhe kërcënimet që ata po i bëjnë administratës”, thotë Nika.
“…në çdo takim që ata bëjnë, unë shikoj të gjithë drejtorat, të gjithë përgjegjësit, të gjithë pjesa e administratës që ne i njohim,” tha ai, ndërsa shtoi se do të kallëzonte në SPAK ata patronazhistë që ofronin vende pune për vota.
Sota thotë se “patronazhimi” është një mekanizëm i turpshëm i vënies së njerëzve nën presion.” Është direkt shkelje flagrante. Dhe këto po ndodhin. Po merren administratat, po merren njerëzit me trysni,” u ankua ai.
Qëndrime të ngjashme

Tre kandidatët për Bashkinë e Vlorës nuk dallojnë shumë nga njëri-tjetri për një sërë çështjesh të rëndësishme për qytetin. Pavarësisht backgroundit partiak, të tre ata mendojnë se bashkia është drejtuar keq ose shumë keq në të shkuarën, duke renditur si dështime të mëdha menaxhimin e mbetjeve urbane apo projektet e infrastrukturës në qytet.
Ata ndajnë gjithashtu qëndrime të ngjashme për projektet kontroverse të qeverisë në bashkinë e Vlorës, të tilla si aeroporti apo ndërtimi i resorteve luksoze në zonën e lagunës së Nartës apo Zvërnec.
Si anëtar i Këshillit Bashkiak, Gjergj Nika thotë se korrupsioni dhe abuzimi me financat bashkiake janë arsye kryesore e problemeve që ka bashkia dhe premton menaxhim më të mirë të tyre.
“Gjithmonë ka qenë e keqmenaxhuar. Keqmenaxhimi ka ardhur në kulmin në këto dy vitet e fundit”, tha ai. Nika thotë se përtej korrupsionit, në bashki nuk punohet dhe investimet mbeten të parealizuara edhe pse 52% e buxhetit shkon për paga.
Sota nga ana tjetër e vë theksin te investimet problematike.
“Vlora nuk mund të trajtohet si kartolinë”, tha ai. Sipas tij, ka një sërë problemesh në infrastrukturë që kanë ardhur për shkak se nuk është menduar që kjo të jetë funksionale, por vetëm të jetë e bukur.
Edhe kandidatja e Partisë Socialiste, Brunilda Mersini mendon se puna e bashkisë ka qenë e dobër. Por ndryshe nga rivalët e saj, ajo beson se problemet janë lokale, ndërsa thotë se mbështetja nga qeveria dhe Rama ka qenë e pakursyer. Mersini lë të kuptohet se administrata dhe bashkia nuk kanë punuar mjaftueshëm, duke krijuar një rreth vicioz problemesh, të cilat premton t’i zgjidhë duke menaxhuar më mirë burimet njerëzore në bashki.
Të pyetur për projektet kontroverse si aeroporti i Vlorës apo ndërtimi i resorteve turistike, të tre kandidatët nuk shprehin kundërshtim.
Nika e justifikon mbështetjen e tij për zgjerimin e qytetit në Veri me faktin se zona e mbrojtur nuk ekziston më dhe është dëmtuar prej qeverisë. Sota në krahun tjetër sheh si problem vetëm mënyrën se si trajtohen banorët dhe premton se do të këmbëngulë që pronarët e tokës të jenë pjesë e investimeve në këto zona.
Mersini e mbështet zhvillimin dhe mban anën e qeverisë në konfliktin me komunitetet lokale për ujin e pijshëm. Duke iu referuar Tragjasit, Mersini aludon se i gjithë kundërshtimi është i pabazë dhe i “sponsorizuar” nga biznese të bregdetit që kërkojnë të përdorin ujin.
Ajo këmbëngul se zgjidhja është menaxhimi më i mirë i ujit të pijshëm.
“Sepse dhe problemet e fshatrave në informacionin që unë kam, është që shpeshherë përdorin ujin e pijshëm për vaditje dhe nuk pranojnë vendosjen e sahateve,” thotë Mersini.
Nika dhe Sota të dy e kundërshtojnë projektin. Nika thotë se nëse zgjidhet, në 30 ditët e para ai do të anulojë vendimmarrjen e bashkisë që ka mundësuar punimet për ujësjellësin e kundërshtuar nga banorët.
Sota thekson se askush nuk ka të drejtë morale të marrë ujë nga Vlora, kur vetë komuniteti vuan për ujë të pijshëm. Prioritet, sipas tij, ka zgjidhja e problemit të ujit të pijshëm për komunitetet lokale. “Në momentin që nuk zgjidhet, po flasim për Tragjasin, nuk zgjidhet Tragjasi me ujë të pijshëm, Dukati, kushdo qoftë komunitet, Vlora vetë, ti nuk ke të drejtë morale të flasësh për t’i marrë burimet ujore”, thotë kandidati.
Për Ermal Çukanin, qëndrimet e ngjashme të kandidatëve për projektet e ndërtimit në Vlorë nuk janë të habitshme.
“Kjo është ideja e përgjithshme, sepse kanë shitur këtë idenë e ndërtimit si zhvillim. Në fakt nuk është parë në asnjë vend të botës ndërtimi si zhvillim,” thotë Çukani.
Ai thotë se qyteti, pavarësisht fluksit të ndërtimeve, është bërë po aq i shtrenjtë sa Tirana dhe se ndërtimi pa limit po u heq mundësinë brezave të ardhshëm të jetojnë aty.
“Këta mendojnë se ne jemi të fundit që jetojmë në Vlorë dhe mbas 100 vitesh, nuk do ketë asnjeri tjetër të mendojë “o vëlla, unë këtë vendin këtu e dua ta bëj një lulishte, një kopsht” tha ai.
“Jo, ne duhet ta konsumojmë (hapësirën e qytetit) brenda këtij 30-40 vjeçari që do jetojmë ne, dhe ta mbarojmë Vlorën dhe kaq,” përfundoi ai.


