“Doja të vdisja”/ Agron Llakaj rrëfen betejën e dhimbjes pas humbjes së gruas: E përcollëm si nuse të bukur
Aktori dhe moderatori i njohur, Agron Llakaj, ka ndarë një dëshmi rrëqethëse për humbjen e bashkëshortes së tij të ndjerë, Kostandina, duke sjellë në vëmendje dhimbjen, forcën dhe dashurinë që e shoqëroi deri në momentet e fundit.
“Nuk mora amanet nga Kostandines, nuk pranova. Kam mbajtur më shumë sesa duhet,” rrëfeu ai, duke treguar se nuk mund të pranonte ide të largimit, ndarjes apo detyrimit të fundit, sepse për të ajo ishtë zemra e familjes.
Ne podcastin e Grida Dumes, ai kujtoi udhëtimin e fundit në Turqi, ku shpresa mori fund:
“U zhgënjyem se kur ikëm në Turqi herën e fundit, thikën e mora unë. Doktori më mori mënjanë, më thanë se mbaroi, i thashë ti sikur the 5, 6 vjet. Çdo gjë do ta shisnim për të fituar jetën e Kostandines.”
Megjithatë, për dy javë me radhë ai mbajti të vërtetën i vetëm:
“Unë duhet të gënjeja, për 2 javë nuk e di si rrotullohesha. Ua thashë fëmijëve dhe vazhduam silleshim sikur s’kish ndodhur gjë, deri në fund.”
Ndërkohë, ai vijonte të shfaqej në ekran, duke buzëqeshur për ta mbrojtur shpirtin e saj:
“Unë e dija që ishin ditët e fundit dhe dilja në emision, qeshja me shpirt në ekran, që ajo të thoshte: ai qesh, unë jam mirë.”
Një nga momentet më të ndjeshme, ai e kujtoi me zë që dridhej:
“Në momentet e para nuk e kupton se ku je. I kërkova vajzës, i thashë, zemra e babit, mami e meriton të ikë si një nuse e bukur. I kemi bërë grim profesional. Kemi qëndruar të dy aty, duke qarë, duke e grimuar.”
Ndërsa periudha pas ndarjes rezultoi edhe më e rëndë:
“Për shumë ditë dhe netë nuk kam dashur të jetoj, doja të ikja, t’i bashkohesha. Fëmijët më janë përgëruar: babi, jemi ne.”
