Zgjedhjet e pjesshme vendore mbyllen me pjesëmarrje në minimum historik
Më pak se 22 mijë nga 171 mijë qytetarët e Bashkisë Vlorë morën pjesë në zgjedhjet për kryetarin e ri të bashkisë të dielën më 9 nëntor, pjesëmarrja më e ulët e regjistruar ndonjëherë në zgjedhje në një bashki në të cilën, pjesëmarrja ka qenë historikisht e ulët.
Të dhënat paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tregojnë se pjesëmarrja është 12.5%, shifër kjo që nuk është parë as në zgjedhjet për pushtetin vendor 2019, në të cilat opozita refuzoi të marrë pjesë.
Qytetarët e pesë bashkive u thirrën për të zgjedhur kryetar të ri të dielën, pasi kryetarët paraardhës dhanë dorëheqjen, disa për t’u bërë deputetë, njëri për t’u bërë ministër dhe një, Ermal Dredha i Vlorës, pa arsye të bëra publike.
Vlora ishte bashkia më e madhe e thirrur në zgjedhje me 171 mijë votues, por pjesëmarrja ishte e ulët edhe në Berat. Këtu, vetëm 16 mijë nga 82 mijë zgjedhësit ushtruan të drejtën e tyre ose vetëm 20%, sipas të dhënave paraprake të pjesshme të KQZ-së. Në Berat pjesëmarrja më e ulët në zgjedhjet e shkuara është shënuar gjithashtu në vitin 2019 me 22%.
Në mënyrë befasuese, në bashkitë më të vogla, pjesëmarrja ishte krahasimisht më e lartë. Në Cërrik, bashkia me 39 mijë zgjedhës, rreth 10 mijë vetë morën pjesë ose 25%. Këtu pjesëmarrja është 6% më e lartë se sa në 2019.
Socialistët përballen për postin e kryebashkiakut këtu me një kandidat të partisë Shqipëria Bëhet, dhe një kanditat të mbështetur nga opozita kryesore. Në Mat, bashkia që numëron 29 mijë banorë, morën pjesë gati 40%, shifër kjo më e ulët se sa zgjedhjet vendore 2023 por gjithsesi më e lartë se sa zgjedhjet e njëanshme të vitit 2019.
Në Bashkinë e Tepelenës me 13 mijë votues, 35% ose rreth rreth 4,400 vetë morën pjesë. Edhe këtu pjesëmarrja është në minimum historik.
Zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie zakonisht tërheqin pak votues, ndërsa qeveria zakonisht fiton.
