1 mijë ndeshje në karrierë, Guardiola e feston me fitore, “skuq” Liverpool
Në ndeshjen e tij të 1000 në karrierë, Pep Guardiola feston përballë Liverpool, me “qytetarët” që triumfuan me rezultatin e pastër 3-0 duke ngushtuar diferencën në 4 pikë me Arsenalin kryesues. Ndaj ekipit të kuq, City siguroi fitoren e katërt radhazi në të gjithë turnetë duke konfirmuar se janë rikthyer në garë me kohë të plotë. Pep shijon një super Haaland, me biondin që ngjitet në kuotën e 14 gola në Premier League.
“Bomberi” norvegjez gaboi fillimisht nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 13-të, por bëri shumë shpejt autokritikë, ku minutën e 29-të me një goditje të saktë me kokë solli festë në “Etihad”. Liverpool reagoi dhe në minutën e 38-të, barazoi shifrat me Van Dijk, por goli i holandezit u anulua nga VAR. Në fundin e pjesës së parë, City gjeti dhe golin e dytë, ku goditja e Nico-s gjeti një devijim të lehtë duke përfunduar në rrjetë. Për të mbyllur llogaritë me Liverpool mendoi Doku, me sulmuesin belg që realizoi një super gol në minutën e 63-të duke hipotekuar fitoren e pastër të Man.City, një dhuratë edhe për Guardiola-n në këtë ndeshje të veçantë:
“Dua vetëm të falënderoj lojtarët dhe stafin për këtë dhuratë. Jam krenar që e arrita këtë kuotë në Mançester në City tim. Mendoj se baza e kësaj arritje është Barcelona B, aty e kuptova që mund të bëjë këtë punë. Ishte më të vërtetë speciale të luaja ndeshjen e 1000 kundër Liverpool, kam një respekt të madh për këtë ekip”, u shpreh Guardiola.
()
