Diddy mohon akuzat se konsumoi alkool në burgun e Fort Dix
Sean “Diddy” Combs ka mohuar kategorikisht akuzat se është kapur duke konsumuar alkool brenda burgut federal Fort Dix në New Jersey, ku ndodhet aktualisht i dënuar. Mohimi erdhi përmes ekipit të tij ligjor, pasi pak ditë më parë portali TMZ publikoi një raport ku pretendohej se artisti kishte prodhuar alkool në qeli, duke përdorur lëngje freskuese, sheqer dhe mollë.
“Thashethemet që pretendojnë se z. Combs është kapur me alkool janë plotësisht të pavërteta,” thuhej në deklaratën e publikuar nga avokatët e tij në platformën X. “Ai është i fokusuar vetëm që të bëhet versioni më i mirë i vetes dhe të kthehet pranë familjes së tij.”
Edhe pse burime thanë për TMZ se Diddy kishte “probleme me gardianët”, një zyrtar i burgut deklaroi se “nuk ekziston asnjë informacion që të mbështesë këto pretendime”.
Një përfaqësues i Combs i tha Page Six se ai është “i përkushtuar të përshtatet, të punojë me veten dhe të përmirësohet çdo ditë”, pas transferimit të tij në këtë institucion korrektues në fund të muajit të kaluar.
Para shpalljes së dënimit në tetor, Diddy i kishte shkruar gjyqtarit duke theksuar se ishte i pastër nga substancat për herë të parë pas 25 vitesh. Ai kishte pranuar se “kishte humbur rrugën për shkak të përdorimit të substancave” dhe se 13 muajt e parë në burg e kishin “përulur dhe thyer shpirtërisht, fizikisht dhe mendërisht”. “Unë zgjodha të jetoj”, shkruante në letrën e tij, duke shtuar se burgu e kishte ndryshuar rrënjësisht.
