Mon, Nov 10, 2025

Sydney Sweeney tregon transformimin ekstrem fizik për rolin në “Christy”

  • PublishedNovember 10, 2025

Aktorja amerikane Sydney Sweeney është treguar e hapur për ndryshimet drastike që trupit të saj iu desh të përjetonte para dhe pas xhirimeve të filmit biografik “Christy”, ku ajo interpreton boksieren e njohur Christy Martin. Për t’u futur në formën fizike të kampiones së boksit, Sweeney shtoi mbi 30 kilogramë përmes një regjimi të rreptë ushqimor dhe stervitjeje intensive me fokus në forcë.

Filmi i regjisorit David Michôd përfundoi xhirimet dhe vetëm shtatë javë më vonë, Sweeney duhej të ishte gati për dy projekte krejt të ndryshme: filmin “The Housemaid” dhe sezonin e tretë të “Euphoria”. “Duhej të isha shumë strikte me veten,” tregon 28-vjeçarja për People, duke kujtuar procesin e shpejtë të humbjes së peshës.

Gjatë përgatitjes për rolin, ajo konsumonte sasi të mëdha ushqimi, proteina dhe kreatinë, çka i shkaktonte fryrje. “Kur e ndërpreva gjithçka, muskujt filluan të bien shumë shpejt. Muskujt janë gjëja e parë që humbet para yndyrës, brenda dy javësh rashë dukshëm,” shpjegon ajo. Pjesën tjetër të peshës e humbi përmes një diete shumë të pastër dhe sasisë së madhe të kardios.

Sweeney e pranon se një transformim i tillë mund të mos përsëritet. “Ky mund të jetë rasti i vetëm që e sfidoj trupin tim kaq shumë për një rol,” thotë ajo, edhe pse falë metabolizmit të mirë dhe një jete aktive, i është dashur më pak kohë për të rikthyer formën.

“Christy” është tashmë në kinema, ndërsa “The Housemaid”, ku Sweeney luan krah Amanda Seyfried, pritet të shfaqet më 19 dhjetor.