Wed, Nov 12, 2025

Aktori i njohur i “Squid Game”, lirohet nga akuzat për sulm seksual

  • PublishedNovember 12, 2025

Aktori korean Oh Yeong-su, i njohur për rolin e plakut në serialin e famshëm të Netflix-it “Squid Game”, është shpallur i pafajshëm nga një gjykatë e Koresë së Jugut, e cila rrëzoi vendimin e mëparshëm që e dënonte për sulm seksual.

Vendimi u mor nga gjykata e lartë e Suwon, e cila konstatoi se kishte dyshime të arsyeshme mbi saktësinë e ngjarjes dhe kujtesën e viktimës së supozuar, për shkak të kohës së gjatë që kishte kaluar nga momenti i pretenduar i incidentit deri te dëshmia.

Oh, 81 vjeç, ishte dënuar në vitin 2024 me tetë muaj burg, me kusht, për një incident që dyshohej se kishte ndodhur në vitin 2017, kur ai punonte për një shfaqje teatrale në një zonë rurale. Sipas kallëzimit, ai kishte përqafuar dhe puthur në faqe një grua pa pëlqimin e saj.

Gjykata theksoi gjithashtu se aktori kishte ndjekur trajnime mbi parandalimin e dhunës seksuale, gjë që u mor parasysh si rrethanë lehtësuese.

Në reagimin e saj, gruaja që e kishte akuzuar Oh-n deklaroi se vendimi nuk e ndryshon të vërtetën dhe se ajo do të vazhdojë të flasë publikisht për përvojën e saj. Organizata për të drejtat e grave Womenlink kritikoi ashpër gjykatën, duke e cilësuar vendimin si “një hap prapa në luftën kundër dhunës në art”.

Pas shpalljes së pafajësisë, aktori falënderoi gjykatën për “vendimin e mençur”, ndërsa ende mbetet e paqartë nëse prokuroria do të paraqesë apel.