Wed, Nov 12, 2025

Big Basta: “Top Fest” ishte një festival i ndershëm, sot jemi bërë gjeneratë ‘njëpërdorimëshe’

  • PublishedNovember 12, 2025

I ftuar në emisionin “Ndryshe” me Elona Duro dhe Edea Demaliaj, artisti i njohur Big Basta ka folur për rrugëtimin e tij në muzikë dhe për ndryshimet që ka pësuar tregu muzikor shqiptar ndër vite. Përveçse reper, ai është edhe producent dhe autor tekstesh, duke kontribuar prej vitesh në formimin e kulturës urbane në vend.

Duke u kthyer pas në kohë, Big Basta përmendi me nostalgji festivalin “Top Fest”, të cilin e cilësoi si një nga pikat më të rëndësishme të karrierës së tij.

“Më vjen keq, sepse gjithmonë më është dukur një festival i sinqertë, i drejtë, pa hile. Kishte shumë çmime, dhe kjo e bënte më të dukshme drejtësinë e tij,”- tha ai.

Në fillimet e karrierës, ai u vlerësua me çmimin “Best New Artist”, duke hapur rrugën për një periudhë të artë të muzikës urbane shqiptare.

Duke bërë një krahasim mes të shkuarës dhe realitetit aktual, Big Basta tha se sot mungon autenticiteti në tregun muzikor.

“Mos harro që jemi bërë gjeneratë facoletash njëpërdorimëshe. Gjithçka është njëpërdorimëshe. Si produktet e atëhershme, si ‘Top Fest’, apo ndikimi i madh i ‘Top Albania Radio’ dhe ‘Top Channel’. Atëherë kënga bëhej hit vetëm nga transmetimi,”- u shpreh ai.

Artisti kujtoi edhe kushtet e thjeshta të kohës, kur mungonin format e tjera të publikimit, por ekzistonte pasioni dhe përkushtimi i vërtetë për muzikën.

Në vijim, Big Basta zbuloi një detaj interesant për fillimet e tij:

“Nuk besoj ta kem thënë diku, por ajo kënga na kushtonte 250 mijë lekë të vjetra. ‘Sweet Company’ dhe Big Basta. Për inçizimin, masterin tek Edi Kraja. Ishte shembulli më i mirë që me pak mund të bësh diçka shumë të mirë.”

Në fund, ai shprehu mendimin se sot shumë artistë po largohen nga muzika për t’u marrë me fusha të tjera.

“Më duket sikur artistët kanë filluar të bëjnë karshillëk kundrejt publikut. Po implikohen në shumë fusha të tjera, shpesh edhe padrejtësisht,” – përfundoi ai.