Turjan Hysko: Ndihesha xheloz për Arbana Osmanin dhe Ledion Liçon
Turjan Hysko ka folur për pengjet profesionale dhe dëshirat apo xhelozitë që ka ndjerë prej ambicies përgjatë karrierës së tij 20-vjeçare në media. Ne podcastin e Dalina Buzit, ai shprehu admirimin për punën e Dritan Hoxhës me Top Channel-in, televizioni i vetëm në të cilin ai nuk ka hyrë ende, për një sërë arsyesh që shpjegoi përgjatë intervistës:
“Një nga pengjet profesionale që kam është që nuk kam njohur Tan Hoxhën. Në aspektin, si strukturë flas. Unë nuk kam shkuar akoma në Top Channel, për ta mbyllur ciklin e plotë të televizioneve.”
Turjani u tregua i hapur edhe për emisionet televizive të cilat ka pasur dëshirë t’i prezantojë, si “Kënga Magjike”, “Big Brother” dhe “Top Fest”:
“Kur unë shihja Top Fest-in, Këngën Magjike apo Big Brother-in, aty më kapte trishtimi. Arbana ka qenë fantastike, Ledioni ka qenë shumë i zoti në atë gjënë e vet, Goni me Amin, me Xhemi kanë qenë shumë të fortë me Portokallinë, Arditi s’diskutohet. I shihja dhe më vinte shumë inat, se e dija që e kisha kapacitetin për ta ‘kafshuar’ atë skenë. Thjesht më vinte shumë inat, të nesërmen pastaj, kthehesha në punë.
Të jem i sinqertë, kur shihja Arbanën, Ledionin, kush e bënte Top Fest-in atëherë, ndihesha xheloz, shumë. Sepse e dija dhe muzikën si funksiononte. Ndihesha xheloz në atë kohë, tani jo. Ika [nga televizioni] se nuk kisha çfarë të bëja më. […]Unë nuk kthehem më në televizion pa e patur punë të tretë.”
