“Asnjë lojtar në Kombëtare s’ka kombinimet e mia”, Lenjani: Besoj te Botërori, historike fitorja në Serbi
Ermir Lenjani ka qenë padyshim një nga lojtarët më të mirë që ka pasur Kombëtarja jonë në vitet e fundit. Sa në mbrojtje, aq edhe në sulm ka ndihmuar anësori i djathtë, të cilin shpesh e kemi parë duke shënuar edhe supergola me fanellën kuqezi.
Në një intervistë të dhënë për gazetën “Panorama Sport”, Lenjani u ndal te ndeshja e sotme ndaj Andorrës, kundërshtar të cilin e kemi mundur herën e fundit në transfertë pikërisht me golin e tij. Lenjani shprehet se kuqezinjtë kanë shanse realet për të në Botëror, ndërkohë që për fitoren në Serbi, ai e cilëson historike dhe me emocionet të jashtëzakonshme.
A mendon se Shqipëria ka shanse reale për të shkuar në Botëror?
Po, besoj fort në djemtë tanë. Ata e kanë treguar shumë herë në fushë se kanë cilësi dhe karakter për t’u përballur me çdo kundërshtar. Me përkushtim dhe unitet, gjithçka është e mundur.
A ka në Kombëtare një lojtar që të ngjan me Lenjanin?
Jo, nuk mendoj se ka një lojtar të ngjashëm.
Një muaj më parë, Shqipëria mundi Serbinë në Leskovc. Si e përjetuat atë ndeshje?
Ishte një ndeshje fantastike! Na bënë të gjithë shqiptarët në botë krenarë. Kisha shumë emocione sepse e dija çfarë do të thoshte ajo fitore, sidomos për ata që kanë përjetuar momentet e vështira në të kaluarën. Kam luajtur vet në Serbi para 11 vitesh dhe e di mirë çfarë kemi kaluar si lojtarë. Prandaj ajo fitore ishte diçka shumë e madhe, historike për ne, për gjithë popullin. Panorama Sport
