Ceremonia e “Guvernatorëve”, Tom Cruise merr çmimin e parë të Akademisë!
Tom Cruise është vlerësuar me një Oskar nderi gjatë Çmimeve të Guvernatorëve, duke shënuar një moment historik në karrierën e tij, pasi ky është çmimi i parë i Akademisë që aktori fiton. Ylli 62-vjeçar mbajti një fjalim të ngrohtë dhe emocional, ku foli për lidhjen e tij të pandashme me kinemanë dhe fuqinë që arti i filmit ka për të bashkuar njerëzit.
Çmimi iu dorëzua nga regjisori i njohur Alejandro G. Iñárritu, me të cilin Cruise po punon aktualisht për një projekt të ri kinematografik që pritet të shfaqet vitin e ardhshëm. Duke marrë çmimin, Cruise tha se filmat nuk janë thjesht një profesion për të, por identiteti i tij. “Bërja e filmave nuk është ajo që bëj, është kush jam unë,” theksoi ai.
Aktori u nderua përkrah koreografes Debbie Allen dhe dizajnerit të prodhimit Wynn Thomas, të cilët po ashtu u vlerësuan për kontributet e tyre në art. Cruise, i cili ka qenë i nominuar katër herë për një Oskar konkurrues, ende nuk ka fituar një të tillë, çka e bën këtë çmim nderi edhe më domethënës.
Ai kujtoi momentin kur dashuria për kinemanë i lindi që në fëmijëri, ndërsa shikonte i mahnitur rrezen e projektorit që shpërthente në ekran. “Aty e kuptova se bota ishte shumë më e madhe se ajo që njihja,” u shpreh ai me emocion.
Gjatë ceremonisë u nderua edhe këngëtarja legjendare Dolly Parton me Çmimin Humanitar Jean Hersholt për dekada të tëra bamirësie. Për shkak të problemeve shëndetësore, Parton e dha falënderimin e saj nëpërmjet një video-mesazhi.
