Fund i një epoke: ndërron jetë dyshja legjendare Alice dhe Ellen Kessler
Binjaket ikonike Alice dhe Ellen Kessler, një nga dy çiftet artistike më të dashura të skenës europiane, janë ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare në Mynih, ku jetonin prej më shumë se tridhjetë vitesh. Lajmi u konfirmua nga mediat gjermane, ndërsa policia e Bavarisë ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e vdekjes së tyre. Sipas Bild, dy motrat dyshohet se kanë zgjedhur vetëvrasjen e asistuar, por autoritetet presin të zbardhin çdo detaj të ngjarjes.
Alice dhe Ellen Kessler lindi më 20 gusht 1936 në Saksoni dhe nisën të vallëzonin që fëmijë. Karriera e tyre mori formë më seriozisht në Paris, ndërsa në vitin 1959 përfaqësuan Gjermaninë Perëndimore në Eurovision. Vetëm pak vite më vonë, binjaket do të zhvendoseshin në Itali, vend ku gjetën famë të jashtëzakonshme dhe një publik që i përqafoi menjëherë.
Ato u bënë pjesë e programeve më të rëndësishme të televizionit italian si Studio Uno, Canzonissima dhe La Fabbrica dei Sogni, ndërsa interpretuan edhe role në kinema përkrah emrave të mëdhenj si Alberto Sordi e Walter Chiari. Hitet e tyre muzikore, si Da-da-un-pa dhe La notte è piccola, mbetën për vite në kujtesën e publikut italian.
Pas një karriere të gjatë në Itali, në vitin 1986 ato u rikthyen në Gjermani, duke vazhduar të jetonin pranë njëra-tjetrës si gjithmonë. Megjithatë, lidhja e tyre me skenën italiane mbeti e fortë dhe binjaket u rikthyen disa herë për evente speciale, deri në performancën e tyre të paharruar në Sanremo në vitin 2014.
