Maqedonia e Veriut synon Play Off, Bardhi: Japim shpirtin në fushë
Kapiten i Maqedonisë së Veriut, Enis Bardhi doli në konferencë për shtyp, para ndeshjes kualifikuese të botërorit ndaj Uellsit.
“Të gjithë e dimë rëndësinë e këtij takimi dhe mund të fitojmë shumë. Por para se gjithash duhet të shijojmë momentin dhe të japim maksimumin. Kemi kohë të gjatë pa humbje dhe nesër duhet të japim më shumë se zakonisht. Shpesh harrojmë të kënaqemi në lojë. Ndonjëherë nga stresi dhe presioni nuk arrijmë ta shijojmë momentin.
Dua që të hyjmë të lirshëm, me mendje të qetë, dhe secili nga ne të jetë krenar dhe të luftojë në fushë. Kur them të shijojmë ndeshjen, mendoj të luftojmë, të vrapojmë dhe të lëmë zemrën në fushë. Ndonjëherë luan aq sa të lejon kundërshtari. Belgjika është një nga skuadrat më të mira në Evropë dhe aty duhej të mbroheshim. Besoj se Uellsi nuk luan në stilin e Belgjikës, por ka futbollistë agresivë dhe do të ushtrojë presion të lartë. Ndoshta nesër nuk do të kemi shumë tifozë tanë, por pas nesh qëndron i gjithë kombi, me mbështetje të madhe. Uroj që në fund të gëzohemi për një rezultat pozitiv”, tha kapiteni Bardhi. Kujtojmë që një rezultat pozitiv dërgon Maqedoninë në Play Off.
