Pas sherrit mes tyre, Top Channel largon Enxhin dhe Neadën, ja kush e shoqëronte Blendin sot në ‘Wake up’
Top Channel ka konfirmuar sot largimin e moderatoreve Enxhi Nasufi dhe Neada Muçaj nga emisioni i mëngjesit, pas një periudhe tensionesh të vazhdueshme mes dyshes. Megjithëse një ditë më parë ato u përpoqën të zbusin lajmet që qarkullonin, vendimi i drejtuesve të televizionit duket se ishte marrë tashmë dhe hyrë në fuqi menjëherë.
Sipas burimeve pranë produksionit, konfliktet mes moderatoreve kishin nisur prej muajsh dhe shpeshherë pasqyroheshin edhe gjatë transmetimit live, ku publiku vinte re distancën dhe mungesën e bashkëpunimit mes tyre. Situata raportohet se ishte përkeqësuar deri në përplasje fizike, çka e bëri të pashmangshëm reagimin e kanalit.
Këtë mëngjes, emisioni u rikthye me ndryshime të dukshme. Blendi Salaj, i cili vijon të jetë në krye të programit, njoftoi se formati po hyn në një fazë të re me bashkëpunëtorë të rinj. Ai prezantoi edhe të ftuarën e ditës, ish-banoren e “Big Brother VIP”, Heidi Baci, praninë e së cilës shumë e panë si një sinjal se ajo mund të jetë një nga emrat që po merret në konsideratë për drejtimin e programit në vazhdim.
“Programi vjen i ridimensionuar dhe me një energji ndryshe,” u shpreh Salaj, duke shmangur çdo koment të drejtpërdrejtë mbi largimin e kolegeve të tij.
Për momentin, Top Channel nuk ka njoftuar ende se kush do ta zëvendësojë përfundimisht dyshen e larguar, por burime brenda televizionit bëjnë të ditur se faza e përzgjedhjeve ka nisur dhe priten lëvizje të tjera në ditët në vijim.
