Wed, Nov 19, 2025

Balluku i quan akuzat ndaj saj “baltë, aludime” dhe sulmon opozitën

Balluku i quan akuzat ndaj saj “baltë, aludime” dhe sulmon opozitën
  • PublishedNovember 19, 2025

Për herë të parë që nga marrja si e pandehur nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës e Energjisë, Belinda Balluku, foli në publik duke zgjedhur të sulmonte opozitën dhe të anashkalonte komentet për akuzat konkrete që drejtësia ka ngritur ndaj saj.

“Më duhet të them disa fjalë, jo për të kompensuar baltën, aludimet, gjysëm të vërtetat dhe gënjeshtrat e thënë me bollëk këto kohë, por për detyrimin që kam ndaj kudo që beson tek puna dhe jo tek balta”- tha ajo duke folur nga foltorja e Kuvendit të mërkurën, ku po prezantohej projekt-buxheti i qeverisë.

Më tej Balluku komentoi reformën në drejtësi si produkt i vullnetit të Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama dhe tha se “nuk do të dëgjoni kurrë nga unë akuza, sharje dhe as kërcënime për drejtësinë e re, edhe kur prekem personalisht”.

“Nuk do të prononcohem kurrë për çështje në hetim pasi kanë rrugën e tyre, të cilën do e ndjek me diskrecion të plotë, derisa e vërteta të marrë formë të prerë cilado qoftë ajo”- shtoi ajo.

Balluku pretendoi se sulmet e opozitës ishin personale. “Se ju nuk e falni as suksesin politik dhe as njeriun që punon”- iu drejtua ajo pak deputetëve opozitarë në sallë.

Deputetët e Partisë Demokratike braktisën sallën në shenjë proteste, ndërsa deputeti i partisë Mundësia, Agron Shehaj, u përfshi në një debat verbal me Ballukun pasi nga vendi i kërkoi asaj që të jepte dorëheqjen dhe të përballej me drejtësinë.

Për këtë arsye Shehaj u përjashtua nga seanca me vendim të kryetarit të parlamentit Niko Peleshi.

Ai u tha mediave se opozita duhet të reagojë dhe nuk duhet të lejojë që “një e pandehur të dalë dhe t’u bëjë moral qytetarëve shqiptarë”.

Më herët Balluku iu fsheh përballjeve me deputetët opozitarë duke refuzuar kërkesat për interpelancë dhe duke mos u paraqitur në komisionet parlamentare për prezantimin e buxhetit për ministrinë që drejton. Deputetët e opozitës e fokusuan qëndrimin e tyre ndaj buxhetit të ri të qeverisë tek çështja “Balluku” duke kërkuar largimin e saj nga qeveria me argumentin se nuk mund t’i besohej menaxhimi i buxhetit një personi të akuzuar se ka shkelur barazinë në tendera gjatë detyrës së saj.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, gjatë oponencës së tij për ligjin e buxhetit preferoi të lexonte pjesë nga dosja hetimore e SPAK për Ballukun, ku janë zbardhur bisedat e saj me vartësit, që tregojnë se si ajo kontrolloi në çdo hap procedurën e prokurimit me vlerë 18.9 miliardë lekë për tunelin e Llogarasë dhe paracaktoi fituesin, në shkelje të kritereve standarde të tenderit.