Ariana Grande detyrohet të tërhiqet nga eventet promocionale, shkak COVID-19
Ariana Grande ka zbuluar se është infektuar me COVID-19, pas një periudhe të ngjeshur udhëtimesh dhe paraqitjesh publike për promovimin e filmit të saj të ri, Wicked: For Good. Këngëtarja dhe aktorja e njohur e konfirmoi lajmin në një postim në Instagram Story, ku ndau një foto të paraqitjes së saj në The Tonight Show Starring Jimmy Fallon të martën mbrëma vetëm pak çaste para se të shfaqte simptomat.
“Moments before Covid,” shkroi ajo mbi foton, duke lënë të kuptohet se sëmundja e ka gjetur në një moment të lodhshëm dhe intensiv të axhendës së saj.
Ariana ka qenë këto ditë në një tur të vërtetë global, duke fluturuar nga një kontinent në tjetrin për premierat dhe eventi promocionale të filmit. Në premierën e madhe në New York, ajo nuk ka dalë në tapetin e kuq në shenjë solidariteti me bashkë-aktorën Cynthia Erivo, e cila kishte humbur zërin si pasojë e një viroze.
Sipas Variety, infektimi me COVID-19 e ka detyruar Arianën të anullojë paraqitjen e planifikuar në The Kelly Clarkson Show, si edhe disa sesione të rëndësishme Q&A mbi filmin, të cilat priteshin të ndiqeshin nga fansat. Lajmi vjen në një moment kritik të turit promocional, vetëm pak ditë para daljes së filmit në kinema.
Interesante është fakti se si Ariana, ashtu edhe Cynthia janë infektuar me COVID edhe gjatë xhirimeve të Wicked, por në momente të ndryshme, gjatë periudhës disa vjeçare të prodhimit të filmit.
Megjithatë, pavarësisht pengesave, Wicked: For Good pritet të ketë një sukses të jashtëzakonshëm në kinema. Sipas të dhënave të Variety, filmi pritet të kryesojë arkën në hapje me rreth 150 milionë dollarë, duke shënuar një start të fuqishëm për njërën nga daljet më të shumëpritura të vitit.
