Skandal i ri për BBC, libri i ri zbulon mashtrimin pas intervistës së Princeshës Diana
Një libër i ri ka sjellë sërish në vëmendje një nga momentet më të diskutueshme të historisë televizive britanike: intervistën e famshme të Princeshës Diana me BBC-në në vitin 1995. Autori Andy Webb, ish-gazetar i BBC-së, pretendon se rrjeti publik britanik ka ditur prej dekadash se intervista u sigurua përmes mashtrimit dhe se qëllimisht e ka mbuluar këtë fakt për më shumë se 20 vite.
Libri, i titulluar “Dianarama: Tradhtia e Princeshës Diana”, publikohet sot dhe pretendon se zbulon “shkallën e tradhtisë ndaj princeshës dhe mbulimin e mëvonshëm”. Publikimi i tij vjen në një moment delikat për BBC-në, e cila aktualisht përballet me kritika të ashpra për redaktimin mashtrues të një fjalimi të Donald Trump.
Sipas një hetimi të pavarur të kryer në vitin 2021, gazetari Martin Bashir kishte përdorur dokumente të falsifikuara për t’i krijuar vëllait të Dianës, Charles Spencer, përshtypjen se njerëz të afërt e spiunonin princeshën dhe se puna e tyre lidhej me shërbimet sekrete. Ky manipulim ishte vendimtar për të bindur Spencer që të ndërmjetësonte intervistën historike.
Autori Andy Webb shkon edhe më tej, duke thënë se brenda BBC-së disa persona e dinin të vërtetën vetëm katër muaj pas transmetimit. Megjithatë, ata zgjodhën të mos e informonin Dianën, duke e lënë atë në një gjendje pasigurie të thellë një pasojë që sipas librit vazhdoi të ndikonte në jetën e saj deri në fund.
Dokumentet e falsifikuara, sipas librit, bënë që Diana të besonte se rrethi i saj i ngushtë ishte duke e tradhtuar. Ajo dyshonte te policia, ndihmësit dhe madje te sekretarja e saj personale, duke u distancuar nga shumica e njerëzve që e kishin mbështetur.
Në një intervistë për ITV, Webb thotë se Charles Spencer lidh këtë izolim të Dianës me ngjarjet tragjike që do të pasonin. “Ajo e humbi besimin te të gjithë,” tha ai. “Dhe 18 muaj më vonë, e gjejmë në një Mercedes me një shofer të dehur një situatë nga e cila ajo nuk kishte më asnjë mekanizëm mbrojtës.”
Pretendimet e librit pritet të rikthejnë debatin e ashpër për etikën journalistike të BBC-së. Rrjeti tashmë e ka pranuar se dokumentet e Bashir ishin falsifikuar dhe ka kërkuar falje, por akuzat e reja për një mbulim të qëllimshëm shumëvjeçar e vendosin BBC-në sërish nën presion.
