Fri, Nov 21, 2025

Arsyetimi i Gjykatës së Posaçme për masat ndaj Belinda Ballukut e vartësve të saj

Arsyetimi i Gjykatës së Posaçme për masat ndaj Belinda Ballukut e vartësve të saj
  • PublishedNovember 21, 2025

Vendimi i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, për pezullimin nga detyra dhe ndalimin për të udhëtuar jashtë shtetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si dhe të masave të sigurimit “arrest në shtëpi” të caktuar ndaj vartësve të saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezei, analizon gjithë arsyet përse ato ishin të domosdoshme, që nga mundësia se të pandehurit mund të dëmtojnë provat e trembin dëshmitarët, e deri në vijimin e abuzimeve me fondet publike dhe arratisjen e mundshme të tyre.

Në arsyetimin e gjyqtarit Erjon Çela, renditen si shkaqe për caktimin e masës së sigurisë ndaj Ballukut, mundësia se ajo mund të sjellë dëme të tjera në fondet publike, nëse do të vijojë të qëndrojë në detyrat që mban, si ministre dhe zëvendëskryeministre.

Ashtu si prokurori i SPAK, Dritan Prençi, edhe gjyqtari Çela çmon se në rastin konkret plotësohen të gjitha kushtet dhe kriteret e parashikuara në ligj për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj Ballukut e dy vartësve të saj.

Që në fillim të arsyetimit të tij për nevojën e masave të sigurimit personal, gjyqtari Çela sjell në vëmendje se e drejta për liri dhe siguri, e parashikuar në nenin 27 të Kushtetutës, është një nga vlerat themelore në një shoqëri demokratike.

Megjithatë, sipas tij, edhe e drejta për liri dhe siguri, si çdo e drejtë tjetër mund të kufizohet për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve, në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë.

Çela vëren se një nga rastet kur e drejta e individit për liri dhe siguri mund të kufizohet është kur ka dyshime të arsyeshme se ai ka kryer një vepër penale, parashikuar në shkronjën “c” të paragrafit 2 të nenit 27 të Kushtetutës.

Gjykata vlerëson se, në gjëndjen që janë aktet e procedimit penal në ngarkim të të pandehurve Belinda Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, ka rrethana që tregojnë se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova për kryerjen e veprave “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim në dy procedurat e tenderimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë’ dhe ai i “Ndërtimit të Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”, të financuara me mbi 210 milionë euro nga buxheti i shtetit.

Në vijim, gjykata konstaton se vepra penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo në ankande publike” për të cilën akuzohet Balluku, kryhet me veprime aktive të kundërligjshme në format e përzgjedhjes së procedurave të prokurimit, shkeljen e rregullave që pengojnë lirinë e pjesëmarrjes dhe realizimin e barazisë së shtetasve në tendera dhe ankande publike. Kjo, me qëllim krijimin e avantazheve ose privilegje të padrejta për të tretët, për të eleminuar konkurentët e padëshiruar në garë dhe në forma dhe mënyra të tjera.

“Nga ana subjektive, krimi kryhet me dashje të drejtpërdrejtë dhe me qëllim për të krijuar avantazhe ose privilegje të padrejta për të tretët, nisur nga motivet se e ka të afërm, mik, shok apo ka interesa të tjera materiale ose morale”, argumenton gjykata në vendimin për caktimin e masaës së sigurisë dhe nënvizon se kjo vepër penale kryhet nga ana e funksionarëve shtetërorë.

Në vijim, gjykata thekson se për të marrë një vendim për caktim mase sigurimi personal, përveç ekzistencës së kushteve të përgjithshme, duhet që të verifikohet nëse ekziston edhe një nga kushtet e veçanta siç janë, “ekzistenca e shkaqeve të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës, largimi i të pandehurit ose rreziku që ai të largohet, rreziku që i pandehuri për shkak të rrethanave të faktit dhe të personalitetit të tij mund të kryejë krime të renda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet”.

Sipas gjykatës, nëse vërtetohet vetëm një nga këto shkaqe, nuk ka detyrim të hetohet dhe të vërtetohet për ekzistencën ose jo të kushteve të tjera që sipas ligjit justifikojnë apo jo caktimin e masës së sigurimit.

Në analizë të fakteve dhe duke konsideruar rrezikshmërinë e veprave penale, si dhe masën e dënimit të parashikuar, vlerësohet nga gjykata se plotësohen të treja kushtet e parashikuara në Kodin e Procedurës Penale për të caktuar masat.

Gjykata vlerëson se, në rastin konkret, ekziston mundësia që Balluku në cilësinë e zëvendës kryeministres dhe ministres së Energjisë e Infrastrukturës, si dhe dy të pandehurit e tjerë, Gentian Gjyli si drejtor i përgjithshëm i ARRSH-së e Erald Elezi, administrator i KESH, të mund të ndërhyjnë dhe të ndikojnë në prishjen ose asgjësimin e provave.

“…Kjo nisur nga fakti që organi procedues po verifikon çdo dokumentacion të administruar nga Institucionet Qëndrore që drejtojnë vetë të pandehurit në detyrë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, por edhe nisur nga fakti që organi procedues po vijon me pyetjen e personave zyrtarë që kanë vepruar në kuadër të ndjekjes së procedurave të prokurimit, të cilët janë vartës të drejpërdrejtë të të pandehurve të sipërcituar. Si dhe nisur nga fakti që organi procedues po heton për shkeljet e këtyre të pandehurve edhe në procedura prokurimi të tjera”, argumenton gjyqtari Çela .

Në vijim, gjykata vlerëson se, nisur nga sanksioni dhe marzhi i lartë i dënimit nga 1 deri në 5 vjet që parashikon ligji për veprën penale që ata po hetohen, si dhe nga fakti se e kanë kryer dy herë e në bashkëpunim, në rastin konkret ekziston rreziku i largimit të të pandehurve Balluku, Gjyli e Elezi.

Po ashtu, Çela çmon se, për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurve, duke qenë në ushtrimin e funksioneve të tyre shtetërore, ekziston rreziku që ata të kryejnë krime të të njëjtit lloj me atë për të cilin po procedohen. “…Kjo, lidhur me rrethanat e veprimeve të kundraligjshme të të pandehurve në disa procedura prokurimi, si dhe nisur nga fakti se të pandehurit menaxhojnë në vazhdim fondet publike për investimet publike të tjera të parashikuara për Institucionet Qëndrore që ata drejtojnë”, arsyeton gjykata.

Një praktikë e mëparshme e SPAK në rastin e hetimit në gjendje të lirë, pa caktuar asnjë masë ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj për aferën e sterilizimit, rezultoi me dëme financiare, pasi ndëkohë që ishte i pandehur, ai vijonte të bënte korrupsion me fondet e ndihmës nga Bashkimi Evropian nëpërmjet procedurave të pavërteta të prokurimit dhe pastrimit të parave përmes faturave fiktive, në kohën kur drejtonte SASPAC – ç’ka solli më pas arrestimin e tij.

Për të pandehurën Belinda Balluku, gjykata vlerëson se nuk ka ndalim për caktimin e masës së sigurimit pezullim nga detyra lidhur me funksionin e saj si zëvendëskryeministres apo ministre. Në vendim sillet në vëmendje përcaktimi i nenit 242 i Kodit të Procedurës Penale “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, ku në pikën 1 parashikohet se: “Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to”.

Nga ana tjetër, konstatohet se kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”, që janë personat e zgjedhur deputetë, kryetar bashkie dhe anëtarët e këshillave bashkiakë.

Çela ka vlerësuar se bazuar në rrethanat konkrete, ndaj Ballukut më e përshtatshme ka qenë caktimi do masave të sigurimit, pezullimi nga detyra dhe ndalimi i daljes jashtë shtetit. Gjykata thekson se, caktimi i këtyre masave të sigurimit personal, nuk e pengojnë të pandehurën Belinda Balluku që të ushtrojë funksionet e saj si deputet i zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë.

Ndërsa ndaj dy të pandehurve të tjerë është caktuar masë sigurimi “Arrest në shtëpi”. Për të tre është konsideruar dhe fakti se kanë fëmijë të mitur.