Mazhoranca do ta apelojë pezullimin e Ballukut në Gjykatën Kushtetuese
Në një konferencë për shtyp me Komisioneren e Zgjerimit të BE-së, Marta Kos, kryeministri Edi Rama deklaroi se mazhoranca do ta apelonte vendimin për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku në Gjykatën Kushtetuese.
Rama sulmoi SPAK-un dhe GJKKO-n, duke i cilësuar si institucione ‘fëmijënore’ të cilat, sipas tij, kanë shfaqur reflekse të vjetra anti-demokratike. Ai pretendoi se vendimi që pezullonte Belinda Ballukun nga detyra kishte kosto për vendin dhe përbënte një akt brutal ndërhyrje në pavarësine pushtetit ekzekutiv.
“Pezullimi nga detyra i një ministri, në këtë rast edhe zëvendëskryeministër, pra drejtpërdrejt përgjegjës për drejtimin e qeverisë në mungesë të kryeministrit, është shfaqje e dobësive të një pushteti krejt të ri dhe e reflekseve anti-demokratike,” tha Rama.
Kryeministri pretendoi se ky ishte një rast unik në historinë e Europës dhe se gjykata dhe prokuroria kishin marrë kompetencat e kryeministrit, presidentit dhe parlamentit, duke cenuar pavarësinë e një pushteti tjetër.
“Do ta respektojmë pa kushte vendimin e pezullimit të ministres dhe ndërkohë do të kërkojmë mbrojtjen e pavarësisë së funksionimit të cenuar të qeverisë, vetëm tek drejtësia në Gjykatën Kushtetuese,” shtoi ai.
Gjykata e Posaçme vendosi të enjten ta pezullonte Ballukun nga detyra dhe të ndalonte udhëtimin jashtë vendit, duke i bllokuar pasaportën. Zëvendëskryeministrja u mor e pandehur dy javë më parë për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.
Ajo akuzohet se ka manipuluar dy tendera me vlerë 210 milionë euro, së bashku me vartësit e saj më të ngushtë – Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, duke favorizuar kompanitë fituese.
Belinda Balluku iu bashkua kabinetit të Edi Ramës në vitin 2019 si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe prej më shumë se pesë vitesh drejton portofolin më të madh qeveritar.
Ajo është gjithashtu zyrtarja më e lartë që përballet aktualisht me akuza penale nga SPAK, pas një serie bashkëpunëtorësh të ngushtë të kryeministrit që kanë humbur postet e tyre për shkak të hetimeve, përfshirë Arben Ahmetajn, ish-zv.kryeministër; Erion Veliajn, kryebashkiak i Tiranës; Ilir Beqajn, ish-ministër i Shëndetësisë; dhe më herët Saimir Tahirin, ish-ministër i Brendshëm.
Kryeministri tha se deri në shpalljen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ai nuk do ta zëvendësonte ministren e pezulluar.
“Nuk jemi në kushtet kur, duke ndërhyrë me forcë në pavarësinë e ekzekutivit, mund të diktohet ndonjë lëvizje e qeverisë,” tha Rama. “Kështu që, për periudhën që flasim, qeveria e Shqipërisë nuk ka zëvendëskryeministër dhe nuk ka asnjë ministër të Infrastrukturës dhe Energjisë që funksionon,” përfundoi ai.
